Policia e Shtetit njoftoi dje ekstradimin nga Greqia të Astrit Dules, i cili është dënuar për “Trafikim të femrave për qëllim prostitucionin”.
Dule është dënuar nga Gjykata e Durrësit me 15 vite burg, ndërsa ka qenë në arrati deri disa muaj më parë, kur edhe është arrestuar në shtetin fqinj. Sipas njoftimit zyrtar të Interpol Tirana, 48- vjeçari ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe arrestimi ka ardhur pas një urdhri arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet shqiptare.
“Ekstradohet nga Athina një shtetas shqiptar i dënuar nga Gjykata e Durrësit me 15 vjet burg për veprën penale ‘Trafikim i femrave për qëllim prostitucioni’. Zyra Qendrore Kombëtare e Interpolit në Tiranë ekstradoi nga Athina/Greqi drejt Shqipërisë shtetasin shqiptar Astrit Dule, 48 vjeç, lindur në Fier. Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e ka dënuar me 15 vjet burg për veprën penale ‘Trafikim i femrave për qëllim prostitucioni’”, shkruhet në njoftimin e Interpol Tiranës. Vendimi ndaj Dulës është dhënë në vitin 2003, ku gjykata e ka gjetur fajtor për trafikimin dhe shfrytëzimin e femrave për prostitucion. Gjatë muajit dhjetor, Policia e Shtetit e kishte renditur Dulen në listën e personave më të kërkuar, ndërsa ashtu si për pjesën tjetër të të kërkuarve, kërkonte ndihmë për arrestimin e tij.
KËRKESA
Ndërkohë që kanë kaluar 16 vite nga dhënia e vendimit nga Gjykata e Durrësit, e cila e ka dënuar atë me 15 vite burg, në 15 tetor të vitit që lamë pas, Astrit Dule, nëpërmjet përfaqësuesit të tij ligjor, ka kërkuar në Gjykatë parashkrimin e ekzekutimit të dënimit.
Çështja është ende në shqyrtim nga Gjykata, ndërsa në kërkesën e parashtruar Dule kërkon “përjashtimin (Parashkrimin) nga vuajtja tërësisht e dënimit të dhënë me vendimin penal Nr.91, datë 25.02.2003 të Gjykatës së Shkallës së parë Durrës”. Kërkesa e tij është e mbështetur në nenin 48 të Kodit Penal, ku parashikohet se “Vendimi i dënimit nuk ekzekutohet kur nga dita që ka marrë formë të prerë kanë kaluar: njëzet vjet për vendimin që përmban dënim pesëmbëdhjetë gjer në njëzetepesë vjet burgim; dhjetë vjet për vendimin që përmban dënim pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet burgim dhe pesë vjet për vendime që përmbajnë dënim me burgim gjer në pesë vjet ose dënime të tjera më të lehta”.


