Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia do të rrisë mbrojtjen ajrore dhe do të ndërmarrë sulme hakmarrëse kundër sektorëve më të ndjeshëm të ekonomisë dhe logjistikës ukrainase.Deklarata erdhi pas goditjeve të fundit me dronë të forcave ukrainase ndaj depove dhe qendrave logjistike të gjigantëve rusë të tregtisë elektronike.
Gjatë një interviste për mediat shtetërore, Putin pretendoi se sulmet e Kievit shkaktuan dëme ekonomike, por argumentoi se ato nuk kanë pasur asnjë efekt në përparimin e trupave ruse në front.Ai theksoi se duke goditur strukturat tregtare dhe rrjetet e furnizimit, Ukraina ka hapur një fazë të re të konfliktit.
“Regjimi i Kievit i vuri vetes qëllimin të dëmtonte ekonominë tonë. Çfarë bëri? E hapi vetë këtë ‘kuti të Pandorës’. Epo, tani do të keni një përgjigje në lidhje me sektorët më të ndjeshëm të ekonomisë suaj, të cilët, sinqerisht, janë tashmë të shteruar.”, tha ai.
Udhëheqësi i Kremlinit bëri me dije se ushtria ruse po përgatit hapa konkretë kundër infrastrukturës logjistike ukrainase dhe bëri thirrje për zgjerimin e sistemit të mbrojtjes ajrore si dhe përmirësimin e koordinimit midis agjencive civile e ushtarake në Rusi.
“Doni të na prishni logjistikën? Atëherë masat hakmarrëse nuk do të vonojnë shumë.”, theksoi Putin.
Lidhur me mundësinë e negociatave, Putin përsëriti qëndrimin e Moskës se mbetet e hapur për bisedime paqeje, por vetëm duke u bazuar në atë që ai e cilësoi si “realiteti në terren”, duke pretenduar se forcat ruse po vijojnë të përparojnë përgjatë vijës së frontit.


