Biznesmeni Xhevat Vataksi, i cili mbeti i plagosur me armë zjarri në fshatin Darragjat, në afërsi të rrugës Shkodër-Velipojë, nuk ka pranuar të japë shumë detaje ngjatë marrjes në pyetje nga Policia.
Menjëherë pasi kaloi rrezikun për jetën në Spitalin Rajonal të Shkodrës, biznesmeni 60-vjeçar është marrë në pyetje nga forcat e Policisë mbi ngjarjen, në të cilën u përfshi duke marrë edhe katër plumba. Sipas burimeve, ai nuk ka pranuar që të japë shumë detaje mbi atë që ka ndodhur. Vataksi është mjaftuar duke thënë se ka qenë një debat i çastit mes tij dhe autorit të dyshuar, Artur Lushi.
Efektivët kanë këmbëngulur, por i plagosuri është shprehur duke thënë se është një çështje që do të zgjidhet mes tyre, pavarësisht asaj që ka ndodhur. Më tej, 60-vjeçari ka shtuar se gjithçka ka qenë një konflikt i çastit dhe se situata i ka dalë nga kontrolli të dy palëve.
Sipas Policisë, Artur Lushi është i dyshuar si autor i plagosjes së biznesmenit, por që ende nuk është mundur të arrestohet. Burime pranë grupit hetimor bëjnë të ditur se shkak për ngjarjen është bërë një kërkesë që ka pasur autori i dyshuar i plagosjes. 43- vjeçari Lushi ka kërkuar, bëjnë të ditura burimet, që Xhevat Vataksi duke qenë se po bën punimet në një pjesë të aksit Shkodër-Velipojë, e cila është në rikonstruksion e sipër, t’i mundësojë ndërtimin e një ure të vogël në mënyrë që të komunikojë me tokën që ka në pronësi.
I plagosuri dhe autori i dyshuar disa herë e kanë diskutuar këtë çështje, duke mos arritur ende që të gjejnë gjuhën e përbashkët për realizimin e saj, ku 60-vjeçari i ka bërë të ditur Lushit se është i detyruar të zbatojë vetëm projektin në letër. Xhevat Vataksi është pronar i firmës së ndërtimit, e cila është e nënkontraktuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, për të bërë rikonstruksionin e pjesës Bërdicë-Trush në aksin Shkodër-Velipojë.


