Një 35-vjeçar që kishte thyer lejen e marrë nga Burgu i Peqinit, duke qëndruar në arrati për katër muaj, u arrestua dy ditë më parë në Tiranë.
Policia tha se shërbimet e Komisariatit Nr.3 kryer arrestimin e shtetasit të dënuar me 9 vjet burg për trafik droge dhe që nuk ishte kthyer në kohë në burg, duke shkelur lejen e dhënë. Bëhet fjalë për shtetasin nga Tepelena, Lekësi Ceka, i cili ishte arrestuar në prill të vitit 2014 në Kavajë, gjatë operacionit të koduar “Luzati”.
Gjatë këtij operacioni, efektivët e Tepelenës vunë në pranga Cekën, në atë kohë 30 vjeç, pasi ishte shpallur në kërkim për trafik lëndësh narkotike. Sipas Policisë, arrestimi ishte bërë në aksin rrugor Uji i Ftohtë – Tepelenë.
Policia informonte në atë kohë se ky person ishte i shpallur në kërkim për llogari të Komisariatit të Policisë Kavajë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë, me vendim nr.12 të vitit 2013, kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Trafikim të narkotikëve”.

Ky shtetas, në vitin 2012, me automjetin e tij me targa greke po transportonte një sasi të konsiderueshme bime narkotike të llojit marijuanë dhe gjatë ndjekjes së Policisë, në afërsi të Kavajës, ka braktisur lëndën narkotike e automjetin duke u larguar. Më pas, ai u dënua në mungesë me 9 vjet heqje lirie, duke u arrestuar më 1 prill të vitit 2014.
PRECEDENTET
Para se të përfshihej në trafikun e drogës, Lekësi Ceka kishte pasur edhe precedentë të mëparshëm penal dhe ishte një personazh i njohur nga Policia e Gjirokastrës dhe Tepelenës. Ai kishte qenë i arrestuar disa herë të tjera, jo për çështje droge, por për vjedhje. Më 11 shkurt të vitit 2011, ishte arrestuar bashkë me dy persona të tjerë nga Policia e Gjirokastrës për vjedhje banesash.
Me arrestimin e tij dhe të bashkëpunëtorëve, Policia arriti të zbardhte të gjitha rastet e vjedhjeve të ndodhura gjatë vitit 2010. Bëhej fjalë për 14 vjedhje të realizuara. Nga hetimet e Policisë rezultoi se Ceka bashkë me dy personat e tjerë kishin vjedhur edhe banesën e një shtetasi me inicialet D.Z., duke bashkëpunuar me djalin e tij, i cili u shpall në kërkim në atë kohë. Por ky nuk ishte rasti i parë që Lekësi Ceka ishte arrestuar nga shërbimet e Policisë në Gjirokastër.
Ai ishte vënë në pranga edhe më herët si autor i vjedhjes me thyerje të një banese në fshatin Bularat, Dropull, regjistruar në janar të vitit 2010. Gjatë kësaj ngjarjeje, ai ka marrë orendi të ndryshme shtëpiake si edhe një sasi lëkurësh. Gjithashtu, Ceka, në atë kohë 27 vjeç, kishte tentuar të vidhte edhe kompjuterët e shkollës së Sheperit, Zagorie, por pasi ishte pikasur nga banorët, ishte larguar menjëherë.
“Nga veprimet hetimore të kryera, rezultoi se gjatë vitit 2010, i ndaluari ka vjedhur edhe 3 kisha në komunën Pogon të rrethit Gjirokastër dhe prej arkave të tyre ka marrë lekët e dhuruara nga besimtarët”, shprehej Policia 8 vite më parë. Policia, në cilësinë e provës materiale, pati sekuestruar sendet e vjedhura.
I arratisuri u ndalua nga Komisariati Nr.3
“Policia lokalizon dhe kap një shtetas të shpallur në kërkim për veprën penale ‘Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit’. Shërbimet e Policisë së Komisariatit Nr.3 lokalizuan dhe kapën shtetasin në kërkim: L. C., 35 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë. Ky shtetas vuante dënimin në IEVP Peqin, pasi ishte i dënuar me 9 vite burg për veprën penale ‘Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike’. Në datën 9 nëntor 2018 ka marrë leje nga burgu për të shkuar në shtëpi (në Tepelenë) dhe nuk është kthyer në institucion në datën e përcaktuar. Veprimet e mëtejshme në lidhje me këtë shtetas do kryhen nga Komisariati i Policisë Tepelenë”, tha zyrtarisht Policia.



