Oksana Genkina është një shtetase ukrainase që prej disa vitesh jeton dhe punon në Shqipëri. Mëngjesin e sotëm, ajo ishte e ftuar në emisionin “Wake Up” në Top Channel, ku tregoi se si është gjendja në shtetin e saj dhe si është familja.
“Vëllanë e kam mjek është në punë. Motrat me fëmijët janë në bodrum se qyteti im po bombardohet. Kanë shkatërruar çdo gjë”, tha Oksana.
E pyetur nëse e kanë parë si opsion largimin nga Ukraina, ajo tha se kur ka pasur bisedime të politikës se do ketë luftë, ajo dhe bashkëshorti u kanë thënë që të vinin në Shqipëri.
Sipas Genkinas, ata nuk kanë pranuar sepse në atë kohë jeta vijonte normalisht dhe nuk e besonin se do të niste lufta.
“Por kur më erdhi mesazhi në katër të mëngjesit se kanë nisur bombardimet. Është e rrezikshme me dalë në rrugë, jo më të largohesh. Kanë vrarë edhe njerëzit që kanë qenë në autobus duke u larguar”, tha Oksana.
Kjo e fundit tregoi se kanë vështirësi në gjetjen e ushqimit apo edhe ilaçeve për ata që janë të sëmurë.
“Në qytetin tim është kujdesur kryetari i bashkisë. Ka bashkëpunim me furrat e bukës. Ka shumë problematika, se ka pleq që nuk mund të dalin, vetëm nëse i ndihmojnë komshinjtë. Farmacitë janë të mbyllura dhe njerëzit që kanë nevojë nuk i gjejnë dot”, tha Oksana.
Më pas ajo u shpreh krenare për popullin e saj, duke thënë se e di se nuk ndalet.
“Do luftojë për tokën e vet, lirinë dhe pavarësinë. Përveç forcave ushtarake që kanë qenë të përgatitur, kanë shkuar edhe shumë vullnetarë. Madje as shteti nuk e ka ditur se do jenë aq shumë. Edhe gratë kanë dalë vullnetare. Gratë dalin dhe i ushqejnë dhe thonë se ushtarët nuk ankohen asnjëherë”, tha ukrainasja që jeton në Shqipëri.
Ndërkohë e pyetu se cila është gjëja që u thotë familjarëve në këto kushte, me lot në sy ajo tha: “Çfarë mund tu them, vetëm lutem për ta. Ti nuk mund ti ndihmosh”.
Oksana gjithashtu vlerësoi gjithë popujt që i kanë ardhur në ndihmë ukrainasve, duke mos harruar të falënderojë edhe shqiptarët.
“I vlerësoj edhe shqiptarët që kanë dhënë shumë ndihmë. Ka ukrainas që kanë ngelur këtu, ka disa që kanë ardhur kur nisi lufta, e populli shqiptar i ka ndihmuar. Kanë hapur shtëpitë falas për ta në qytete të ndryshme të Shqipërisë”, përfundoi ajo, e cila tha se shpreson që çdo gjë të përfundojë sa më shpejt.




