Policia e Lushnjes ka arrestuar dy vëllezër pasi tentuan të fusnin kanabis sativa brenda burgut të Kosovës në Lushnje. Të arrestuarit janë Besnik Bali 40 vjeç dhe Isamir Bali, 34 vjeç. Kanabisi ishte fshehur brenda mishit, ndërsa prit♪7si i porosisë është një i dënuar me burg përjetë, Lulzim Caka.
Policia njofton se në kërkim është shpallur një tjetër shtetas, I.Z. 34 vjeç, banues në fshatin Drenovicë, Berat.
Njoftimi i plotë
Nga Specialistët për Hetim e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, u arrestuan në flagrancë 2 shtetas si dhe u shpall në kërkim një tjetër dhe konkretisht :
• Besnik Bali 40 vjeç dhe Isamir Bali, 34 vjeç, (vëllezër) banues në fshatin Barbullinjë, Lushnje.
Si dhe u shpall në kërkim I.Z., 34 vjeç, banues në fshatin Drenovicë, Berat
Shtetasit e arrestuar kanë tentuar të fusin në I.E.V.P të Kosovës, Lushnje, lëndë narkotike e llojit Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu në bashkëpunim me efektivat e Komisariatit të Policisë Lushnje, është ushtruar kontroll në banesën e shtetasve Besnik Bali dhe Isamir Bali, ku u gjet lëndë narkotike e llojit Cannabis Sativa.
Nga veprimet e kryera rezulton se lëndën narkotike këto shtetasit e kanë siguruar tek shtetasi I. Z., i cili është shpallur në kërkim.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 792 gramë lëndë narkotike e llojit Cannabis Sativa.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprat penale ” “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim” parashikuar nga nenet 283 dhe 324/a të Kodit Penal.
Kush është Lulzim Caka
Dënohet me 25 vite burg Lulzim Caka, një nga krerët e bandave kriminale që ka vepruar në Shqipëri, kryesisht në zonën e Beratit, Fierit dhe Lushnjës, gjatë viteve 1995-2000, i akuzuar për vrasje për shkak të cilësive të veçanta. Gjykata e Apelit në Vlorë ka lënë në fuqi dënimin e dhënë nga Gjykata e Fierit, ndërsa kjo çështje endet në dyert e gjykatave për një dekadë. Ngjarja për të cilën u dënua ka ndodhur në muajin mars të vitit 1998, ku Caka i ka bërë rezistencë forcave të policisë. Caka, i sapoliruar nga burgu me një manipulim dokumentesh i ishte kthyer aktivitetit kriminal. Pas një informacioni për vendosjen e tij në fshatin Pobrat, është angazhuar e gjithë Drejtoria e Policisë së Beratit. Forcat e policisë, të kryesuara nga Gani Malushi dhe Ilir Ngresi (që kanë humbur jetën nga atentate më pas), rrethojnë Cakën së bashku me dy bashkëpunëtorë të tij. Por, të armatosur me kallashnikov, ata i bëjnë për rreth gjysmë ore qëndresë policisë. Caka u kap i plagosur, ndërsa bashkëpunëtori i tij, Xhevahir Çela, mbeti i vrarë. Pas kësaj ngjarjeje, ai akuzoi shtetin që dha urdhër për eliminimin e tij, ndërsa nga hetimet rezultoi se “i forti” i Beratit kishte qëlluar edhe ndaj shokut të tij.


