Mediet e huaja, e sidomos ato gjermane, po i mëshojnë mundësisë së ngritjes së qendrave të refugjatëve në Shqipëri e vende të tjera të Ballkanit, e në një intervistë për “Deutche Welle”-n, drejtori austriak kundër Trafikimit, Gerald Tatzgern deklaron se Vjena do ta mbështesë konkretisht Shqipërinë.
Austria, sipas tij është e gatshme të ngrejë qendra pritjeje jashtë BE-së, në të cilat do të verifikohet nëse ekziston apo jo e drejta për të vazhduar udhëtimin drejt Europës. Ai nuk i përgjigjet drejtpërdrejt pyetjes nëse Shqipëria do të jetë një nga këto vende pritëse, e nëse mundet ta përballojë një barrë të tillë, duke thënë se nuk mund ta bëjë këtë nga këndvështrimi i policisë dhe kriminalistikës, sepse ky është proces politik.
“Por mund të them nga këndvështrimi i policisë se, nëse do të ngrihen qendra të tilla, pavarësisht se ku, atëherë ne duhet t’i mbështesim shumë policitë e vendeve përkatëse”, shprehet zyrtari i lartë austriak.
Më tej jep një detaj që mund të intepretohet si vëmendje e shtuar ndaj vendit tonë. “Kemi aktualisht një plan, që nga sektori ynë, Zyra Federale e Austrisë për Kriminalistikën, të dërgohen nëpunës në Shqipëri”, rrëfen Tatzgern.
“Do të zhvillojmë aksione të përbashkëta në kufirin greko-shqiptar, do të shohim për mundësitë e mbështetjes me asistencë teknike, e të asaj me personel”, shpjegon ai.
Një ditë më parë, një dokument që ka rënë në duart e medies tregonte se blloku po merr në konsideratë mundësinë e ngritjes së qendrave të tilla në Afrikën e Veriut, pikërisht aty ku nis udhëtimi i shumicës së klandestinëve drejt Europës.
Top Channel