Qamile Kapaj ka marrë përgjegjësinë për laboratorin e drogës në fshatin Mbrostar në Fier.
Para trupit gjykues, ajo ka pranuar se ka qenë vetë ajo që ka mbjellë bimët narkotike.
Sipas avokatit mbrojtës Agron Kalemaj, gruaja ka deklaruar se gjithçka e ka bërë pasi është në vështirësi ekonomike dhe ka një borxh për të shlyer.
Ajo është penduar dhe ka kërkuar falje ndaj organeve të drejtësisë.
“I kërkoj falje shtetit dhe trupit gjykues, e pranoj atë qe kam bere dhe jam penduar”, mësohet se ka dhënë Qamile Kapaj.
Arrestimi i tyre u bë dy ditë më parë në fshatin Mbrostar, ku policia zbuloi laboratorin e drogës.
Në kërkim është shpallur edhe kryefamiljari, Aleksandër Kapaj, sëbashku me një 33-vjeçar nga Kosova.
Laboratori i pajisur me llamba
Brenda banesës së përshtatur si ferme kanabisi u gjetën dhe sekuestruan 312 fidanë të kultivuar dhe pajisje të tjera.
Për të furnizuar llambat me energji, ata kishin një lidhje të paligjshme të energjisë elektrike ndaj tre elektricistë janë vënë nën hetim.
Policia në njoftimin për operacionin nuk dha më shumë detaje mbi operacionin që zbuloi kultivimin e kanabisit me llamba, pasi kjo veprimtari është ende nën hetim
Por fqinjët thonë se nuk kishin vënë re lëvizje të dyshimta.
“Nuk kemi parë lëvizje, pamë vetëm dje policinë. Ai ka një djalë dhe tre çupa, një e ka në Tiranë.
Njerëz fukarenj, në hall të tyre në punë të tyre, di unë i shkreti.
Unë e njoh, kam pasur pak muhabet. Nuk ka qenë njeri i keq, nuk e di si”.
Edhe më herë në vendin tonë janë goditur disa tentative për kultivimin e kanabisit me llamba në ambiente të mbyllura.


