Zv. kryeministri Erion Braçe ka zhvilluar një vizitë ‘blic’ në Kadastrën e Vlorës, një institucion që prej disa javësh nuk po gjen qetësi. Gazetari i Report Tv, Armand Xhelili raporton se numri dy i qeverisë ka mbërritur në këtë institucion në orën 08:00 të kësaj të marte, orarin zyrtar kur nis punën administrata dhe ka qëndruar aty për rreth 30 minuta.
Dhe ka qenë pikërisht ky motiv që e kanë çuar Braçen në Vlorë, për të parë nëse punonjësit kanë shkuar në orar në punë, në një kohë kur Kadastra drejtohet nga një drejtor i komanduar, Taulant Canameti.
Pas dorëheqjes së ‘bordit’, konkretisht të drejtoreshës së këtij institucioni, Elona Hodaj dhe zv/drejtorit, Krenar Xhemali, Kadastra e Vlorës funksionon me drejtues të komanduar. Hodaj dhe Xhemali dhanë dorëheqjen më 8 tetor dhe shkak është bërë një vendim i Gjykatës së Lartë për një pronë në bregdet në Jalë. Në datën 11 shtator zbarkoi në këtë institucion anti-krimi ekonomik, ndërsa në hetim u vendosën 23 punonjës, pasi akuzohen se kanë tjetërsuar pronën e një personi në Jalë duke ia kaluar një tjetri.
Report Tv siguroi edhe një urdhër, që ish-drejtori Almadhi në 25 qershor 2019 lëshoi për një hetim për 21 specialistë lidhur me tjetërsimin kësaj prone. Mes specialistëve të hetuar ishte dhe Alteo Nazeraj. Ky i fundit u emërua më pas drejtor, po dha dorëheqjen dhe në vendin e tij erdhi Hodaj.