Dhjetë gazetarë u vranë të hënën në një seri sulmesh në Afganistan, përfshirë një gazetar të BBC dhe një fotograf të njohur, i cili ia kishte dedikuar jetën pasqyrimit të ngjarjeve në vendin e shkatërruar nga lufta.
Shpërthimet nga njerëz që u vetëvranë duke aktivizuar eksplozivin, ndodhën në kryeqytet, Kabul. Shah Marai nga “Agence France Presse” ishte mes një grupi gazetarësh që humbën jetën kur një sulmues i maskuar si kameraman televiziv aktivizoi një bombë të dytë në vendin e një shpërthimi të mëparshëm.
Të dyja sulmet janë marrë përsipër nga ISIS. Në një tjetër incident, Ahmad Shah, një gazetar 29-vjeçar i shërbimit afgan të BBC, u qëllua për vdekje nga njerëz të armatosur në provincën Khost. Najib Sharifi, drejtor i Komitetit të Sigurisë Gazetarëve të Afganistanit, tha se Shah ishte rrugës për në shtëpi kur ndodhi sulmi.
Viktimat e tjera ishin Mahram Durani, një korrespondent i “Radio Europa e Lirë” dhe Ebadullah Hananzai, nga e njëjta agjenci, Yar Mohammad Tokhi, kameraman i “TOLONews”, Ghazi Rasoul, reporteri dhe kameramani Nawroz Ali Khamosh i “1TV”, Ali Saleemi dhe Saleem Talash nga “Mashal TV”.
Sabawoon Kakar, një kameraman i “RFE”, vdiq në spital nga lëndimet. Shpërthimi i parë ndodhi rreth orës 08:00 në orën lokale në zonën Shashdarak të qytetit, afër ambasadës amerikane dhe ndërtesave të qeverisë afgane, duke nxitur gazetarët që të afrohen në vendngjarje. Shpërthimi i dytë ndodhi sapo u afruan gazetarët, sipas CNN. Në një deklaratë të bërë në median sociale “Telegram”, ISIS tha se një vëlla i martirizimit shpërtheu jelekun me eksploziv në mesin e një grupi të “femohuesish” duke vrarë dhe plagosur disa prej tyre.
Në një mesazh të hënën, drejtori i lajmeve të AFP-së, Michele Leridon nderoi Marain për forcën, guximin dhe bujarinë e tij të jashtëzakonshme dhe vlerësoi profesionalizmin dhe ndjeshmërinë e tij gjatë 15 viteve punë, duke mbuluar konfliktin afgan për agjencinë e lajmeve.
Agjencia tha se Marai u bashkua me AFP-në si një shofer në vitin 1996, viti kur talebanët morën pushtetin dhe në vitin 2002 ai u bë një fotografi me kohë të plotë. Ai la pas dy gra dhe gjashtë fëmijë, duke përfshirë një vajzë të sapolindur, sipas AFP. Përveç gazetarëve, 45 persona të tjerë u plagosën në dy incidente dhe u dërguan në spitalet e qytetit, sipas zëdhënësit të Ministrisë së Shëndetit Publik, Wahid Majroh.


