Ish-presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka kërkuar dëmshpërblim për Covid-19 nga Kina.
Trump ka pohuar se ka pasur të drejtë në spekulimet e tij të hershme se Covid-19 doli nga një laborator kinez, duke thënë se Pekini duhet të kompensojë pjesën tjetër të botës për ” shpalosjen” e virusit dhe “lejimin” e tij të përhapet globalisht.
Duke cituar deklaratat e ditëve të fundit nga Departamenti Amerikan i Energjisë (DOE) dhe FBI se virusi “ka shumë të ngjarë” të ketë rrjedhur nga Instituti Kinez i Virologjisë Wuhan, Trump tha se “faktet tani janë të qarta për t’i parë të gjithë”. Ai sulmoi qeverinë kineze, duke shkruar të shtunën në një artikull të gazetës Daily Mail se “gënjeshtra dhe mashtrimi i Pekinit vranë çdo mundësi për të ndaluar këtë katastrofë vdekjeprurëse globale në fillim”.
Megjithatë, as DOE dhe as FBI nuk dhanë ndonjë provë për gjetjet e saj. Zyrtarët kinezë u përgjigjën duke akuzuar administratën e Presidentit Joe Biden për politizimin e gjurmimit të origjinës së Covid-19 dhe përpjekjen për të njollosur Kinën me pretendime të pambështetura.
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Tedros Adhanom Ghebreyesus paralajmëroi se, politizimi e ka bërë më të vështirë përcaktimin e origjinës së virusit.


