Qeveria ka në plan të shpallë zonë të mbrojtur të gjithë pjesën e lumit Vjosa, ndërkohë që është parashikuar të zgjerohet zona e mbrojtur edhe në Alpet e Shqipërisë.
Plani është bëre me dije nga Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi gjatë takimit të zhvilluar ditën e sotme me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin (UNDP) për zhvillimin e infrastrukturës dhe shtigjeve turistike në zonat e mbrojtura.
“Vendimet e fundit të Agjencisë Kombëtare të Territorit e shtuan sipërfaqen e Zonave të Mbrojtura. Tashmë jemi në një sipërfaqe më të gjerë me Alpet e Shqipërisë të mbrojtura nga kjo Agjenci. Vendimet në unanim të institucionave shtetërore mbrojnë zona të tëra ku padyshim një nga ato më të debatuarat është e gjithë Lugina e Lumit Vjosë, e cila tashmë është një zonë e mbrojtur, është një park kombëtar i menaxhuar me rregullat e parkut kombëtar duke hequr debatin që vazhdon të jetë në media për politika të caktuara duke garantuar opinionin publik se vendimi fundit i Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit e përcakton në bazë të propozimit të ardhur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe e mbrojtur nga Ministria e Infrastrukturës dhe energjisë Parkun e Vjosës të gjithë nga kufiri i sipërm me Greqinë deri në derdhjen e saj në det një peizazh i mbrojtur një zonë e mbrojtur një vlerë unikale të mjedisit shqiptar. Të gjitha Zonat e Mbrojtura janë rishikuar duke u përmbledhur në një studim I cili është miratuar nga Këshilli Kombëtar I Territorit dhe pritet së shpejti të miratohet në Qeveri. Zonat e Mbrojtura do të shtohen me Parkun e Alpeve dhe të Vjosës.”, tha Klosi.
Ndërkohë Zëvendës Përfaqësues I Përgjithshëm, Nuno Queiros theksoi punën që po bëhet në zonat e mbrojtura.
“Projekti i UNDP në partneritet me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (NAPA) kontribuon në objektivin afatgjatë për: të sigurojnë burime financiare të mjaftueshme, të qëndrueshme dhe afatgjata për zonat e mbrojtura, të alokojë këto burime në kohën e duhur; dhe të sigurojnë që zonat e mbrojtura të menaxhohen në mënyrë efektive dhe efikase në lidhje me ruajtjen dhe objektivat e tjerë plotësues”, tha Queiros.


