Shkencëtarët britanikë janë shprehur se përzierja e dozave të vaksinave kundër koronavirusit mund të garantojë një mbrojtje më të mirë ndaj COVID-19.
Në Britani ka filluar një studim duke u dhënë disa personave doza nga vaksina të ndryshme, ndërsa pritet që numri i vullnetarëve që do të përfshihen në studim të jetë rreth 800, të gjithë mbi 50 vjeç.
“Me këtë studim synojmë të japim doza të vaksinave të ndryshme, pra mund të nisë injektimi me vaksinën e Pfizer/BioNTech-ut dhe më pas të përforcohet me një dozë të dytë të vaksinës së AstraZeneca-s. Ne po kërkojmë të shohim nëse përgjigja imunitare që prodhohet është po aq e mirë sa në rastin kur të dyja dozat i takojnë së njëjtës vaksine”, thotë Dr Matthew Snape, profesor i asociuar në departamentin e Pediatrisë dhe Prodhimit të Vaksinave në Universitetin e Oksfordit.
Ai u shpreh se pritet që rezultatet e studimit të merren në muajt qershor dhe korrik, ndërkohë që ministri i ngarkuar me operacionet për vaksinimin e popullatës Nadhim Zahawi, këmbënguli se studimi nuk do të ndikonte në shpërndarjen e vaksinave.
“Të gjithë prodhuesit sikurse Pfizer, BioNTech-u, Moderna, Oxford/AstraZeneca e të tjerë po shohin mundësitë se si mund t’i përmirësojnë vaksinat e tyre për t’u siguruar që të jemi gati për çdo variant. Aktualisht ka rreth 4,000 variante në të gjithë botën të COVID-19”, tha ai.