Kryeministri Rama e quan shëmti dhe fatkeqësi për Shqipërinë publikimin e mesazheve që kreu i shtetit Ilir Meta bëri publik disa kohë më parë, teksa komunikonte me një ambasador për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.
“Jo, nuk kam asnjë koment se përsa më përket mua dhe PS qysh në ditën e parë që është diskutuar për ta ndërmarrë këtë reformë (Reformën në Drejtësi), ne jemi të vetmit garant të kësaj reforme. S’ka asnjë tjetër.
Mendoj që bërja e mesazheve publike është një shëmti e madhe për çdokënd. E jo më për kreun e shtetit e pastaj lëre më tutje për kreun e shtetit që komunikon me një diplomat të nivelit të lartë. Një fatkeqësi që ndodh vetëm në Shqipëri”, tha Rama në emisionin e Eni Vasilit.
Më tej, kryeministri tha se në shtëpinë e tij nuk ka kanale televizive në shqip, por informacionin e ka marrë nga burime të tjera dhe tha se në asnjë moment nuk ka pasur ndërhyrje për të shtrembëruar ligjin.
“Unë nuk disponoj kanale televizive në shqip në shtëpinë time për të mbajtur fëmijën e vogël larg nga ekranit, që sipas meje, u bën një dëm specifik të vegjëlve. Por sigurisht që i marrë infomacionet. Nuk kuptoj ku qëndron problemi për atë mesazh se bëhej fjalë për të votuar në Kuvend. Nuk bëhej fjalë për të shtrembëruar ligjin”, shtoi ai.


