Presidenti Ilir Meta shfrytëzoi dje takimin për “Sfidat e sigurisë në Ballkan” për të folur pa doreza dhe shprehur rezervat për reformën në drejtësi dhe krizën politike. Shigjetimet e presidentit shkuan drejt reformës në drejtësi, duke e cilësuar për herë të parë dhe publikisht si jo të suksesshme, me akuzën se mazhoranca po synon kapjen e institucioneve të reja të drejtësisë.
Një akuzë e ashpër do të drejtohej nga kreu i shtetit në drejtim të misionit EURALIUS, duke e cilësuar se ka marrë porosi politike për të vepruar, duke nënkuptuar nga mazhoranca socialiste.
“Është folur për sukses të reformës në drejtësi. Unë i jam shmangur çështjes publikisht, për suksesin e reformës në drejtësi, bëhen 3 vite nga miratimi i saj. Dhe nuk them a është sukses a dështim, por nëse do ishte një sukses Shqipëria në asnjë minutë nuk do ishte pa Gjykatë Kushtetuese…. EURALIUS i çon përgjigje Presidentit se nuk vijmë dot në takim se jemi mision teknik, që do të thotë se ke marrë porosi politike. Kjo nuk është drejtësi evropiane”, tha Meta.
Marrëdhëniet mes Metës dhe Ramës kanë pasur një kurbë me ulje e ngritje dhe kjo edhe për sa i përket procesit për reformën në drejtësi, e cila ka dy vite që është miratuar nga Kuvendi, por që ende organet e reja të drejtësi nuk po e “shohin dritën e diellit”.
Edhe pse dy aleatë në qeverisjen gjatë mandatit të parë të kryeministrit Rama, ku Meta si kreu i LSI-së mbante postin e kryetarit të Kuvendit, mes tyre kishte fërkime të hapura për sa i përket mënyrës së miratimit të reformës në drejtësi.
LSI kishte 19 vota në Parlament dhe se pa dhënë miratimin aleatit reforma ishte e pamundur që t’i kalonte.
Pavarësisht se PS-LSI kishin numrin e duhur të votave, Meta në vitin 2016 do të shprehte me forcë se nuk do t’i jepte votat nëse ndryshimet kushtetuese që do t’i hapnin rrugë reformës në drejtësi nuk do të kishin edhe votat e PD-së, si partia kryesore e opozitës.
Ngërçi politik do të sillte më 10 korrik 2016 në Tiranë edhe zyrtaren e lartë të DASH, Victoria Nuland, e cila ofroi dhe një zgjidhje hibride me synimin për të kënaqur palët. Meta si kryeparlamentar disa ditë më pas do të lëshonte deklaratën “bombë” duke u shprehur se ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen, të tërhiqte ministrat dhe për të krijuar qeveri teknike, madje të shkonte dhe vetë në burg për votuar reformën në drejtësi.
“Meqë Shqipëria është republikë parlamentare, meqë jam kryetar i Parlamentit i ftoj dy aktorët kryesorë politikë në vend, Rama dhe Basha, dhe dy ambasadorët Lu dhe Vlahutin që ne të mblidhemi këtu në Kuvend, për t’i dhënë drejtësinë e munguar në të ardhmen., por jo duke e filluar takimin se ti do të shkosh në burg, apo t’i tjetri do të shkosh në burg me këtë reformë, ne kështu do të shkatërrojmë konsensusin, gjithë frymën konstruktive dhe gjithëpërfshirëse që duhet të ketë kjo reformë, meqenëse është bërë fjalë kyçe fjala burgu për reformën në drejtësi…
Unë jam shumë dakord ta vazhdojmë me burg. Por nuk bëhet reforma dhe nuk arrihet konsensusi duke thënë tjetrit se ti do të shkosh ti në burg, por reforma dhe konsensus, ajo që do të Uashingtoni, Brukseli dhe qytetarët shqiptarë nga politikanët shqiptarë është duke filluar nga unë të deklaroj se unë do të shkoj në burg, nëse kam shkelur, ligjin, kam bërë korrupsion, nëse kam dëmtuar interesin publik.
Dhe vetëm duke folur në këtë mënyrë, jo nëse dikush ka qejf fjalën burg, ne mund t’i japim vendit atë Kushtetutë të re. Kjo reformë nuk bëhet për zgjedhjet e radhës, por për 30 vitet e ardhshme”, do të deklaronte Meta në konferencën e 17 korrikut 2016.
Një deklaratë e fortë që u lëshua pikërisht katër ditë para votimit të 21 korrikut, ku pas presionit të fortë të ndërkombëtarëve, e majta dhe e djathta votoi me 140 pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim ndryshimin e Kushtetutës.
Por pas tre vitesh, Meta tashmë në cilësinë e presidentit të vendit, shfaqet i “penduar” për faktin se sipas tij, reforma në drejtësi po fokusohet me emra, që synon kapjen e institucioneve kushtetuese.
Përplasja mes Ramës dhe Metës do të jetë edhe për situatat e krizave politike, e shtyrjes së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017. Meta si aleat i Ramës do të deklaronte hapur se nuk mund të kishte zgjedhje pa opozitën shqiptare, pa Partinë Demokratike.
“Njoftojini të gjithë që pluralizmi ka ardhur që në 12 dhjetor të vitit 1990 në Shqipëri”, do të deklaronte Meta në mars të 2017-ës.
Pas dy vitesh, kriza politike me të njëjtën panoramë po shfaqej me kërcënim për zgjedhjet, Meta me spaletat e presidentit mbi supe do të lëshonte deklarata të forta për zgjidhjen e saj.
Madje ai do të shprehej nga Pogradeci se ishte i gatshëm të flijohej edhe si Salvador Alende presidenti kilian, për ta ndaluar instalimin e një junte ushtarake.
“Në këtë drejtim, edhe pse nuk kam asnjë përgjegjësi për këtë situatë që është krijuar edhe pse kam bërë çdo përpjekje prej gati dy vitesh në këtë detyrë, për të parandaluar një situatë dhe një krizë të tillë, përsëri jam i gatshëm unë i pari të sakrifikoj në emër të një zgjidhjeje politike që rivendos normalitetin kushtetues, institucional, politik, demokratik në vend dhe që garanton ecjen e shpejtë drejt çeljes së negociatave në BE, jam i gatshëm për të dyja ekstremet.
Që nga dorëzimi i mandatit tim si president pasi të sigurohem që vendi ka një zgjidhje politike parimore, kushtetuese, solide që e çon përpara, e deri tek sakrifikimi i jetës sime si Salvador Alende për të ndaluar instalimin e një junte që mund ta kthente Shqipërinë 30 vite pas. Pra, Ilir Meta është i përgatitur dhe është i gatshëm për të dyja rrugët sepse asnjëherë, pavarësisht nga ambiciet e tij, nuk ka rrezikuar dhe nuk mund të pranojë të rrezikojë as për karrigen e tij, dhe as për ambiciet e tij, as Shqipërinë dhe as demokracinë në Shqipëri”, do të deklaronte presidenti.
Këtij qëndrimi do t’i përgjigjej kryeministri Edi Rama, duke u shprehur i befasuar nga këto deklarata politike.
“Zoti resident, rri i qetë, sepse jemi e do të mbetemi vend i NATO-s. Nëse s’më beson mua, ti beson Pandin dhe sa të kemi Pandin, ky vend nuk del nga NATO.
Në fund të ditës, fundi politik i Lulit dhe Monikës, nuk duhet të jetë problemi im dhe yni, dhe mos i shko më në mend ato gjëra se na hutove”, do të deklaronte kryesocialisti më 23 mars nga sheshin “Nënë Tereza”, disa metra larg Presidencës.