Një shtetas italian, që hiqej si avokat duke u zhvatur dy biznesmenëve shqiptarë një shumë totale prej 1.3 milionë eurosh, është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 6 vjet burgim.
Bëhet fjalë për shtetasin italian Giuseppe Mei. Historia e mashtrimit të dy biznesmenëve nis që në vitin 2006 dhe pas shumë vitesh hetime, italiani është dënuar më 1 shkurt 2018 nga Gjykata e Tiranës. Skema që ka përdorur Mei ishte e perfeksionuar. Ai ka mashtruar dy biznesmenët e ndërtimit se Ministria e Jashtme italiane kishte çelur një tender për ndërtimin e disa banesave në Bosnje dhe Shqipëri.
Në këtë mënyrë, që dy biznesmenët të dilnin fitues të tenderëve, italiani u ka kërkuar para në këmbim të procedurave të tenderimit. Mirëpo, gjithçka ishte një skemë mashtruese e mirëmenduar. “Panorama” sjell dosjen hetimore të Prokurorisë së Tiranës për skemën e mashtrimit.
RASTI I PARË
Një biznesmen nga Fieri, i identifikuar me inicialet Dh.D., në vitin 2006 është njohur me një person të identifikuar me inicialet I.B., i cili i ka ofruar bashkëpunim për një projekt të madh ndërtimesh në qytetin e Fierit. Siç i ka shpjeguar I.B. biznesmenit, bëhej fjalë për një tender prej 12.5 milionë eurosh, i financuar nga Ministria e Jashtme e Italisë për ndërtimin e 150 apartamenteve. Këto apartamente, sipas I.B., i cili ishte mashtruar nga italiani gjithashtu, do të ndërtoheshin në Vlorë.
Por I.B. i ka thënë biznesmenit Dh.D. se kishte disa të njohur që mund ta zhvendosnin vendin e projektit në Fier nëse ai ishte dakord. Sipas I.B., fitues paraprakë për tenderin ishin dy kompani të fuqishme me qendër në Itali. Por kjo gjë mund të ndryshonte nëse Dh.D. ishte i interesuar dhe për këtë do të vinte në ndihmë i vetëquajturi avokat, Giuseppe Mei. Biznesmenit fierak i është thënë se duhet të paguante 500 mijë euro tek italiani Mei.
Kjo pagesë do t’i shërbente avokatit Mei për të ndryshuar shoqërinë ndërtuese dhe për t’i dhënë të drejtën Dh.D. që të zbatonte projektin, që nuk kishte ekzistuar kurrë. Gjatë bisedimeve me biznesmenit, I.B. i ka kërkuar atij që për arsye konfidencialiteti, të mos e komunikojë me asnjëri tjetër këtë tender, pasi kishte rrezik se mund të dështonte. Për të ndjekur këtë marrëveshje, në Shqipëri vjen vetë i pandehuri, Mei, i cili i prezantohet si avokat kompetent biznesmenit fierak, duke i thënë se punonte me Presidentin italian të asaj kohe.
Ai i ka kërkuar atij 500 mijë euro që të mundësonte marrëveshjen. Biznesmeni Dh.D. ka pranuar, duke paguar paratë. Ai madje ka nisur edhe projektet për banesat e para, që kanë kushtuar 65 mijë euro. Në zbatim të kontratës, Mei ka tërhequr më 5 maj 2006 shumat prej 500 dhe 200 mijë eurosh. Ai ka marrë edhe pagesa të tjera për të regjistruar biznesmenin e Dh.D. në Romë. Shuma totale që ka paguar Dh.D. ka qenë 770 mijë euro, sipas Prokurorisë.
RASTI I DYTË
Rasti i dytë ka të bëjë me një biznesmen nga Durrësi, i identifikuar me inicialet I.B. Edhe ky biznesmen ka deklaruar në Prokurori se në vitin 2006 është njohur me shtetasin I.B., i cili i ka folur për një projekt të qeverisë italiane, për ndërtimin e 100 apartamenteve në Bosnje. I.B. i ka thënë biznesmenit nga Durrësi se mund ta rregullonte këtë punë që tenderin ta fitonte ai dhe për këtë i duhej një shumë prej 600 mijë eurosh që do t’i jepej të pandehurit Mei. I.B. pranon ofertën dhe shkon të takojë në Tiranë Mein, i cili i tregon detajet për tenderin. Ata firmosin një marrëveshje, në të cilën shkruhej se I.B. pranon t’i japë 600 mijë euro avokatit Gioseppe Mei për ndjekjen e konkurrimit të tenderit, për ndërtimin e 100 apartamenteve në Bosnje Hercegovinë, fond i Ministrisë së Jashtme të Italisë.


