Çdo partner ka sekretet e veta, por një gjë po ua themi: po të mos i bënim këto, gjithçka do të ishte kaq e mërzitshme.
Nuk dimë se ç’bën ai nga ana tjetër, por ta dini se shumica prej nesh i kanë bërë këto gjëra të listës së mëposhtme.
I marrim gjërat me terezi që të vonohemi dhe ta lëmë të presë
Kjo s’është ndonjë sipërmarrje e vështirë: mbaro ujin e ngrohtë, një peeling, një trajtim fytyre dhe flokësh, pastaj gjysmë ore merr vetëm tharja e flokëve, ndonjë gjysmë-orësh tjetër krehja, 1 orë grimi sepse duhet të duket sa më natyral, meqë zotërisë s’i pëlqen që të vësh makeup sepse e tërheqin më tepër gocat “natyrale”. Dhe meqë i pëlqejnë gocat natyrale, le të presë.
Injorojmë telefonatat dhe mesazhet e tij me justifikimin se “s’e kam parë”
Këtë e bëjmë për të mirën e marrëdhënies. Mendoje si për vete: do ta doje dikë që të kthen SMS-në brenda sekondës? Dikë që e di që është aty sa herë të duash ti? Kështu do të ishte më shumë një pizza taxi më shumë sesa një partner. Një partner nuk është ai që të vjen në ndihmë dhe të gjendet sa herë ke nevojë, por ai që të nxin jetën.
“Po dal me një shok”
Ti mund të kesh dalë me një shok vërtet dhe ai rrezik e ka takuar atë shok, dhe ti ndoshta s’e duron dot atë shok, dhe ai shok ndoshta të gjuan por ti e ke kaluar me kohë në “zonën e vëllaçkos”, ose ai shok mund të mos jetë fare një shok, në fund të fundit. Por ai nuk mund ta dijë. Ai duhet të besojë se ti ke dalë me “një shok” dhe të nisë të përfytyrojë gjëra që e bëjnë të luajë mendsh.
“Jam sëmurë, s’dal dot”
Kështu testohet i dashuri nëse të do vërtet, siç thotë. Nëse ai nuk të vjen poshtë shtëpisë me ilaçe dhe lule dhe çokollata, ndoshta duhet ta rikonsiderosh.
Sigurisht që ti je e zonja e vetes, pra mund të bësh vetë çaj, madje mund të kërcesh latine me 40 temperaturë, por s’është puna aty. Ai duhet të jetë aty për ty në të mirë e në të keq.
Sa herë zihemi, shoqja e ngushtë kthehet në Sigmund Freud
Një gjë që atij ia merr mendja por s’ka për ta dëgjuar kurrë nga goja jonë është se shoqja e ngushtë merr vesh çdo gjë që thotë ai, edhe kur s’e ka thënë akoma.
Nuk thonë kot: mos merr gocën, merri shoqen. Jo në kuptimin që po mendoni ju: shoqja e ngushtë mund të shpëtojë një marrëdhënie apo ta shkatërrojë atë. Nëse shoqja është rob Zoti, të qetëson, të sjell në vete dhe të këshillon ta kuptosh të dashurin.
Nëse s’ka patur asnjë lidhje vetë por është eksperte e lindur lidhjesh, në përgjithësi të shtyn t’i vësh të dashurit një bombë tek dera e shtëpisë.
Sa herë zihemi, kalojmë një krizë identiteti
Djema, ne nuk e dimë si është nga ana juaj, sepse ju për ndonjë arsye që s’e dimë, parapëlqeni të mos e shprehni anën tuaj të ndjeshme. Por nga ana jonë gjithçka është kaq intensive dhe e përjetuar me kaq shumë dinamikë.
Sa herë kemi një zënkë, fillojmë ta konsiderojmë si herën e fundit që bisedojmë bashkë dhe përpiqemi të bindim veten se mund t’ia dalim edhe pa të. Një mëngjes zgjohesh mirë, tjetrin tërë nerva dhe plot mllef kundër botës.
Derisa ai të shkruajë prapë- ose të hyjë në lojë Zana e Mirë që të thotë t’i shkruash- është një kalvar luhatjesh humori dhe çdo mendim të çon tek ai. Megjithatë, në përgjithësi ia dalim ta fshehim; kemi përvojë për këtë.
Nuk shprehemi, sepse kemi frikë se mos përfshihemi më tepër se ç’duhet
Ky rreth vicioz po shkatërron marrëdhënie shumë-vjeçare, por kështu qenkan njerëzit. Frika që kemi nga dashuria tregohet kaq mirë tek shprehjet “më rrëshkiti këmba” dhe “rashë brenda”; a thua të biesh në dashuri do të thotë të biesh në pus.
Pra dashurinë e kemi frikë po aq sa vdekjen, prandaj mezi na del ajo “Të dua” nga buzët. Kur tjetri nuk e di, ndihemi më të sigurt. Problemi është se ndonjëherë thjesht e teprojmë duke mos u shprehur!
Kuptojmë, por bëjmë sikur s’kuptojmë
“Qëparë i ra telefonit një vajzë, dhe unë e pashë. Kush ishte? Si quhej? Ah, po: Ana. Le të kontrollojmë çdo Ana në Facebook!”
Fakti që s’tregon xhelozi, nuk të bën budallaqe. Ti je e aftë të shikosh përsa kohë ke sy dhe të dëgjosh përsa ke veshë, por është zgjedhja jote të mos bëhesh mosbesuese. Veçse ai duhet ta dijë se nëse dyshon për diçka, ke për ta marrë vesh./ anabel