Shkëlzen Hasanpapaj i dënuar me 10 vite burg për atentatin ndaj Florenc Çapjas dhe Bledar Muçës i janë shtuar edhe 8 muaj burg. Dënimi shtesë është dhënë nga Gjykata Penale Tiranë për akuzën e futjes së telefonit celular e sendeve të ndaluara në qeli pranë paraburgimit “302” tek “Mine Peza”. Ka qenë një kontroll i beftë në qelinë e tij në paraburgimin 302 në Tiranë në maj të këtij viti që zbuloi një telefon celular “iPhone 6S”. Sendi i ndaluar ka ngarkuar me përgjegjësi penale 22-vjeçarin, duke e dërguar si të pandehur në Gjykatën e Tiranës për akuzën e “Futjes dhe mbajtjes së sendeve të ndaluara në burg”. Në përfundim të gjykimit ai është shpallur fajtor dhe dënuar me 8 muaj burg. Sipas arsyetimit të vendimit, Hasanpapaj nuk ka dhënë asnjë shpjegim pas gjetjes së aparatit telefonik. Gjykata thekson se karta SIM e përdorur nga i pandehuri rezultonte e regjistruar në kompaninë përkatëse telefonike me emrin Jurgen Kurti. Por, nga verifikimi i librit të takimeve të paraburgimit “Mine Peza” nuk rezultonte që ky person t’i kishte ardhur në takim të pandehurit. Në muajin nëntor, Shkëlzen Hasanpapaj u dënua me 10 vite burg nga Gjykata e Elbasanit për tentativën e vrasjes së Florenc Çapjas dhe Bledar Muçës në qershor 2016 në Elbasan. Për këtë ngjarje kujtojmë se në muajin nëntor ai u dënua me 10 vite burg. Ndërkohë, dy javë më parë Prokuroria e Elbasanit ka apeluar vendimin për Shkëlzen Hasanpapajn, atentatorin ndaj Florenc Çapjas, i cili rreth një muaj më parë u dënua me 10 vite burg nga Gjykata e Elbasanit për armëmbajtje pa leje dhe tentativë vrasje. Në fillim të nëntorit Shkëlzen Hasanpapaj u shpall fajtor për atentatin ndaj Florenc Çapjas dhe Bledar Muçës. Dy prokurorët e çështjes kanë çuar ankimin e tyre në Gjykatën e Apelit Durrës, duke kërkuar prej kësaj të fundit që të dënojë me 22 vite burgim Shkëlzen Hasanpapajn, për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese” mbetur në tentativë në dëm të Florenc Çapjas, Bledar Muçës dhe një punonjëse policie që po kalonte rastësisht në rrugë. Ngjarja për të cilën akuzohet i riu ndodhi në vitin 2016, në muajin qershor, ku sipas dosjes së prokurorisë, autori kishte më shumë se një orë që i ruante shënjestrat e tij ulur në një lokal përballë ish-maternitetit.
Kush është Shkëlzen Hasanpapaj
Shkëlzen Hasanpapaj, u arrestua në Holandë si autor i dyshuar i atentatit të ndodhur më 6 qershor në këtë qytet. 22-vjeçari u kap nga policia holandeze pas urdhrit të arrestit të lëshuar nga prokuroria për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”. Gjatë hetimeve për zbardhjen e atentatit u gjetën disa objekte, të cilat çuan në identifikimin e autorit, mes të cilave një çantë kamuflazhi, arma e krimit, si edhe sende që dyshohet se janë përdorur nga autori. Për të gjitha këto sende është kryer analiza e ADN-së, në bazë të së cilës është përftuar profil i njëjtë gjenetik, pasi rezultoi se gjurmët e ADN-së së gjakut, të gjetur në armën e krimit, ishin të njëjta me ato të gjetura në çantën e kamuflazhit, si edhe në sendet e tjera, të cilat gjendeshin në vendin ku është kryer atentati. Prokuroria gjithashtu ka siguruar të dhëna operative se autori i atentatit mund të ishte pikërisht Shkëlzen Hasanpapaj. Për këtë arsye, është bërë kërkimi i këtij shtetasi, me qëllim për të realizuar krahasimin e mostrave të ADN-së të gjendur në vendngjarje me profilin gjenetik të këtij shtetasi. Por, policia nuk arriti të gjente vendndodhjen e Hasanpapajt, pasi një ditë pas atentatit ai u largua nga Shqipëria. Në këto rrethana, për të siguruar provat e nevojshme, nga ana e Prokurorisë së Elbasanit është urdhëruar ekspertiza e ADN-së për prindërit e të dyshuarit Hasanpapaj. Nga ekspertiza rezultoi se ADN-ja e gjetur në vendin e ngjarjes lidhet me shtetasit Q. dhe A. Hasanpapaj (prindërit e të dyshuarit) në raportin “nënë-bir” dhe “babë-bir”. Gjithashtu është bërë analiza gjenetike e shtetasit S. Hasanpapaj (vëllai i të dyshuarit) dhe ka rezultuar se profili gjenetik i gjendur në vendngjarje nuk përputhet me atë të gjetur në vendin e ngjarjes. Në bazë të analizës gjenetike, por edhe në bazë të provave të tjera, nxjerrin si autor të atentatit 22-vjeçarin Hasanpapaj. Synimi i tij besohet se ka qenë vrasja e Florenc Çapjas, i cili ndodhej në automjet bashkë me Bledar Muçën në momentin e atentatit. Për eliminimin fizik të Çapjas, dyshohet se Hasanpapaj është paguar.


