Një shqiptar u arrestua nga policia italiane ditën e sotme, pasi dyshohet si shpërndarës drogë. Sipas mediave italiane, në pranga ka rënë 37-vjeçari i identifikuar si Aleksandër Latifaj.
Ka qenë arrestimi i dy shqiptarëve të tjerë që çoi policinë drejt identifikimit dhe më pas arrestimit të 37-vjeçarit. Disa ditë më parë, policia italiane vuri në pranga 32-vjeçarin Elvis Pertaj dhe 19-vjeçarin Elis Velaj, pasi iu gjet në makinë 25 kilogramë marijuanë.
Pasi kanë studiuar telefonat celularë të të arrestuarve, kanë zbuluar edhe bisedat me 37-vjeçarin, Aleksandër Latifaj. Pas kontrollit në shtëpi, policia i gjeti 37-vjeçarit 500 kilogramë marijuanë dhe 40 gramë kokainë, sasi e cila nëse do të hidhej në treg do të kapte vlerën e rreth 1 milion euro.




