Kryeministri italian njoftoi se kabineti i tij qeverisës e ka miratuar tashmë buxhetin e vitit 2019 dhe se e ka dërguar për miratim në Komisionin Europian.
“Ky buxhet do të bëjë që të mbahen premtimet tona elektorale, por edhe të ruhen balancat e financave publike”, shtoi Giuseppe Conte.
Buxheti i 2019-s parashikon një deficit buxhetor prej 2.4 %, afërsisht sa tavani i BE-së prej 3 %. E megjithatë, paraqitet shumë më i lartë sesa ishte dakordësuar mes Italisë dhe unionit.
Pikërisht për këtë arsye, kohët e fundit ka pasur polemika të shumta në distancë mes komisionerëve europianë dhe zyrtarëve të qeverisë italiane.


