Italia do t’u detyrojë të gjithë udhëtarëve, që vijnë nga disa rajone franceze, një test negativ për COVID-19 para se të hyjnë në territorin e saj, njoftoi sot ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza.
“Kam nënshkruar një urdhëresë të re që shtrin detyrimin e testimit molekular ose antigjenik për qytetarët nga Parisi ose rajone të tjera të Francës”, tha ministri në llogarinë e tij në Twitter.
“Të dhënat europiane janë kritike. Italia është në një situatë më të mirë se vendet e tjera, por ne duhet të jemi të kujdesshëm për të mos i çuar dëm sakrificat e bëra deri më tani”, shtoi ai.
Udhëtarët nga këto rajone do të duhet të paraqesin një test molekular ose antigjenik të kryer 72 orë para se të hyjnë në territor dhe rezultati i të cilit të jetë negativ.
Përndryshe, ata do të duhet ta kryejnë këtë provë në mbërritjen e tyre në aeroport, port ose në pikën kufitare.