Tërmeti i 6 shkurtit që goditi Turqinë dhe Sirinë, ishte një nga ngjarjet më tragjike të viteve të fundit, që shkaktoi dhimbje në mbarë botën. Pak orë pas disa tërmeteve të forta dhe shkatërrimtare, të shumta ishin shtetet që menjëherë u mobilizuan për t’i ardhur në ndihmë këtyre dy vende, ndërsa mbërritën grupe të shumta kërkim-shpëtimi.
Edhe vendi jonë ishte ndër të parët që iu gjend pranë shtetit turk, duke dërguar grupin e vullnetarëve të emergjencave civile, për të ndihmuar në kërkimin e jetëve nën rrënoja.
Këtë pasdite në rubrikën “Opinion” në News24 me gazetaren Nisida Tufa, ishin të ftuar Nebi Muçaj, drejtor i qendrës vullnetare i emergjencave civile, si dhe mjeku turk që punon në Shqipëri Taner Akdamar, i cili ishte pjesë e grupit që u nis në Turqi për të dhënë ndihmë.
Ata kanë treguar momentet e vështira dhe dramatike që panë në zonën e Malatya, ku ishin përcaktuar për të ndihmuar.
“Në Turqi duhej një staf i mirëspecializuar për të dhënë këtë ndihmë, si nga ana mjekësore dhe nga ana e kërkimit nën rrënoja”, u shpreh Muçaj.
“Ekipi shqiptare qëndroi në qytetin Malatya, ku janë shembur 284 ndërtesa, minimumi 8 katëshe. Ditën e tretë nga tërmeti, kemi ndihmuar një djalë duke e nxjerrë nga rrënoja. Më shumë na ndihmuan kamerat termale dhe qentë e kërkimit. Dëgjuam një zë… Djali u shpëtua mirë, ndihmën e parë ia kemi dhënë ne”, tregoi mjeku.
Muçaj tregon se kanë ndihmuar dhe kanë nxjerrë të gjallë njerëz nga rrënojat, por sipas tij, për fat të keq, në këtë zonë numri i viktimave ka qenë shumë i lartë.
“Të gjitha forcat që operonin nën rrënoja, shpresa dhe ajo që i shtynte të punonin sa më shpejt, ishte se ndoshta poshtë rrënojave do të kishte një jetë njeriu. Emocionet, stresi, pjesa e familjarëve që prisnin që nga rrënojat të nxirreshin të gjallë anëtarët e tjerë. Në një tragjedi, një shpresë e vogël të ngjallte plot emocione, kur dilte një jetë njeriu, ishin lot gëzimi në atë trishtim, por fatkeqësisht aty ku ishim ne nuk pati shumë të mbijetuar, por shumë viktima. Ka qenë një punë shumë intensive, me një temperaturë shumë të ulët. Fatkeqësisht ishte një hotel ku pati shumë viktima nën rrënoja. Në Malatya u mbyll kërkim-shpëtimit nën rrënoja, dhe ne si qendër vullnetare, e plotësuar afatin tonë që na ishte përcaktuar”, tha Muçaj.
“Ne deri në fund kemi shpresë, por normalisht që të gjitha autoritetet, ditën e katër dhe ditën e pestë humbën shpresat, sepse ishte problem dhe për temperaturat shumë të ulëta. Në mbrëmje shkonin -15 gradë, dhe në mëngjes shkonte deri në -25 gradë. Ne deri ditën e katërt kemi punuar duke larguar rrënojat me dorë, kemi këput beton me dorë. Më pas kemi operuar me ekskavator”, tregoi mjeku turk.


