Lajmi u njoftua nga CNN-i që citonte burime pranë zotit Bannon.
Gazeta “The New York Times” njoftoi të martën se prokurori i posaçëm Robert Mueller i kishte dërguar zotit Bannon javën e kaluar një thirrje për të dëshmuar para një jurie të madhe, që po heton kontaktet e fushatës së zotit Trump me Rusinë.
Ndërkohë të martën, zoti Bannon nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të ligjvënësve që po hetojnë ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.
Zoti Bannon ishte për orë të tëra të martën përballë Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin.
“Në thelb ky ishte një urdhër nga Shtëpia e Bardhë për të mos lejuar këtë dëshmitar që t’i përgjigjej pothuajse asnjë pyetjeje për periudhën kur ai ishte në ekipin e tranzicionit, ose pjesë e administratës dhe madje dhe shumë pyetjeve për periudhën pasi la administratën”, tha kongresmeni demokrat Adam Schiff, anëtar i këtij komisioni.
“Qëndrimi i avokatit të zotit Bannon ishte se ai donte t’u përgjigjej pyetjeve, por ishte udhëzuar nga Shtëpia e Bardhë që të mos ta bënte një gjë të tillë”, tha ai.
Sekretarja a Shtypit e Shtëpisë së Bardhë u përpoq ta hidhte poshtë pretendimin e kongresmenit, duke thënë se “askush nuk e ka nxitur atë të bëjë gjë tjetër, përveçse të jetë transparent”.
Zoti Schiff tha se parashikon që Bannon të dalë përsëri para komisionit.
Ky zhvillim shtron pyetje për përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë për të kontrolluar atë që ish-këshilltari i lartë i thotë Kongresit për kohën kur punonte në Shtëpinë e Bardhë.
Zoti Bannon ka vazhduar të shprehë mbështetjen për Presidentin Trump, por duket se ka humbur besimin e tij, pasi ishte cituar në librin e ri “Zjarr dhe Furi” të thoshte se kishte qenë një “tradhëti” dhe “jopatriotike” nga ana e djalit të madh të zotit Trump, Donald Trump Jr. dhe të tjerë në kampin e tij, që të takoheshin me një juriste ruse në mes të fushatës, në një përpjekje për të siguruar prova “inkriminuese” kundër kandidates demokrate Hillary Clinton.
VOA