Shpallja si i padëshirueshëm nga ana e SHBA e ish kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe e familjes së tij nuk ka qënë as rastësore dhe as e thjeshtë sikur kërkojnë ta paraqesin Sali Berisha, Lulzim Basha dhe mbi të gjitha Ilir Meta e Monika Kryemadhi.
Nuk ka qënë as dhe një hakmarrje nga ambasadori Donald Lu për shkak se Llalla kur ishte në detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm ka pasur një përplasje me të. Përplasje që sipas Llallës ka ardhur sepse ambasadori amerikan i ka kërkuar mos hetim të një kompanie të huaj nafte.
Shkaku është më i thellë, dhe duhet kërkuar si bazë fillestare tek leximi i drejtë i tekstit të Sekretarit Amerikan të Shtetit, përmes të cilit Llalla shpallet familjarisht “non grata” nga SHBA.
Sipas njoftimit zyrtar të DASH, “Sekretari i Shtetit Rex Tillerson ka shpallur publikisht “non grata” ish-Prokurorin e Përgjithshëm Shqiptare (z.) Adriatik Llalla në bazë të nenit 7031 (c) të Ligjit për Buxhetin e Konsoliduar të FY 2017 për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të rëndësishëm.
Neni 7031 (c) parasheh që në rastet kur Sekretari i Shtetit ka informacion të besueshëm se zyrtarët e huaj janë përfshirë në korrupsion të rëndësishëm ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këta individë dhe anëtarët e tyre të afërt të familjes nuk kanë të drejtë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.
Ligji gjithashtu kërkon që Sekretari i Shtetit të caktojë publikisht ose privatisht zyrtarë të tillë dhe anëtarët e familjes së tyre si të padëshiruar.
Sekretari po ashtu shpall publikisht bashkëshortin e z. Llalla, Ardjana Llalla, vajzën e tij, Eni Llalla dhe fëmija tjetër i tij, jo amerikan”. Pra korrupsion të rëndësishëm, që fillon nga abuzimi me pushtetin që kishte, atë të organit të akuzës e deri tek mosjustifikimi i pasurisë, nxjerrjen e saj jashtë vendit përmes rrugëve tokësore. Apo siç thuhet ndryshe në zhargonin e përditshëm “me valixhe”.
Mësohet se Adriatik Llalla në kohën kur ka qënë Prokuror i Përgjithshëm përmes lëvizjeve jashtë vendit, bashkë dhe me Rovena Gashin, në disa raste kanë tranferuar para jo përmes sistemit bankar, në disa banka amerikane. Njëherësh kanë transferuar para dhe përmes disa kompanive që pastronin para në po këto banka amerikane. Rastet e fundit të blerjeve të pronave lirë dhe shitjen shtrenjtë nga ana e Llallës e këtyre pronave vertetojnë fare lehtë pastrimin e parave.
Organet ligjzbatuese amerikane, sidomos FBI dhe ajo e pastrimit të parave ka shfaqur shqetësim për shumat e mëdha që depozitoheshin papritur në bankat amerikane. Duke qënë se FBI ka kohë që ishte instaluar në Shqipëri, në kuadër dhe të reformës në drejtësi, unë bë një verifikim i burimit të këtyre të parave dhe përmes një “kryqëzimi” klasik të të ardhurave të deklaruara, shpenzimeve dhe atyre të depozituara, ku rezultonte mospërputhje e madhe.
Njëherësh organet ligjzbatuese në SHBA kanë parë tendencën e Adriatik Llallës për të shkuar në SHBA familjarisht dhe për të jetuar atje, fillimish dërgoi bashkëshorten që të lindte fëmijën në SHBA për të qënë që në lindje amerikan, kanë nisur të marrin masat.
Mësohet që fillimisht Llalla është verifikuar në lidhje me këto para të depozituara në bankat amerikane. Pastaj janë marrë informacione për shumë dosje të mëdha të korrupsionit në Shqipëri, përfshirë dhe ato të zyrtarëve shumë të lartë, të cilat janë mbyllur nga Llalla. Kanë bashkangjitur dhe informacionin se Adriatik Llalla ka qënë kundërshtari më i vendosur i Reformës në drejtësi dhe Vettingut duke iu bashkuar frontit antireformë, të shprehur dhe përmes deklaratave publike.
Për të gjitha këto, fillimisht Llalla, familja e tij dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë janë shpallur nga DASH persona “non grata” në SHBA. Më pas i janë bllokuar të gjitha llogaritë bankare në SHBA. Theksojmë janë shuma të mëdha, pasi Llalla planifikonte të mbyllte jetën bashkë me familjen në SHBA.
Dhe tërë informacioni për këto para ka ardhur në Tiranë tashmë, i hetuar tërësiht nga FBI. Ndërkohë që dhe me “bekimin” amerikan po zbardhen në media një nga një të gjitha blerje-shitjet e pasurive të patundshme të Llallës në Tiranë. Çka tregon se qelia për Adriatik Llallën tashmë është më afër se kurrë.