Të dhënat zyrtare të prokurorisë dhe të Ministrisë së Brendshme, gjatë kohës kur drejtohej nga i ministri i Partisë Demokratike Dritan Demiraj, rrëzojnë pretendimin e PD-LSI se shitblerja e votave ka diktuar rezultatin e zgjedhjeve parlamentare. Prokuroria e Tiranës dhe prokuroritë e rretheve nuk kanë regjistruar asnjë procedim penal për shitblerje të votave në zgjedhjet parlamentare të 2017, raporton Shqiptarja.com Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme, gjatë kohës që drejtohej nga ministri i PD, Dritan Demiraj, ka konfirmuar zyrtarisht se gjatë periudhës zgjedhore nga data 26 maj-24 qershor 2017, janë dërguar për vlerësim në prokurori vetëm 19 raste të korrupsionit aktiv në zgjedhje dhe 2 raste të korrupsionit pasiv në zgjedhje.
Të gjitha rastet i përkasin Qarkut të Beratit. “Nga strukturat policore në bashkëpunim me Prokuroritë e rretheve gjyqësore gjatë periudhës zgjedhore nga data 26 maj-24 qershor 2017, janë trajtuar dhe po hetohen 44 vepra penale, që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, u proceduan penalisht 87 persona, nga të cilët 13 të arrestuar, 67 në gjendje të lire dhe 7 në kërkim. Janë dërguar për vlerësim në prokurorinë e rrethit gjyqësor Berat edhe 3 raste të tjera, konkretisht: “Pengimi i subjekteve zgjedhore”, 7 vepra penale. “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, 19 vepra penale. “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, 2 vepra penale. “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, 4 vepra penale. “Kanosja apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, 11 vepra penale. “Shpërdorimi i autoritetit policor”, 1 vepër penale”, ka theksuar Ministria e Brendshme për Shqiptarja.com.
Ndërkaq, gjatë ditës së zgjedhjeve, policia ka referuar në prokurori 10 raste të shitblerjes së votave. Pra, ndryshe nga sa pretendojnë PD-LSI, Ministria e Brendshme dhe strukturat në varësi të saj, gjatë kohës kur drejtohej nga ministri i PD, kanë referuar vetëm 32 raste për blerje votash, ku 22 raste i përkasin vetëm një qarku, atij të Beratit. Rastet e denoncuara u përkasin të gjitha partive kryesore politike.
Prokuroria nuk provoi asnjë rast- Prokuroria nuk ka provuar dot asnjë rast të shitblerjes së votave në zgjedhjet parlamentare të 2017. Në raportin vjetor të prokurorive mbi gjendjen e kriminalitetit, nuk figuron asnjë procedim penale i regjistruar për veprat penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje, parashikuar në nenin 328 të Kodit Penale si dhe për korrupsionin pasiv në zgjedhje parashikuar në 328/b të Kodit Penal. Ky realitet reflektohet edhe në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 2017. Në raport theksohet se “akuzat e përhapura gjerësisht për blerjen e votave dhe presionin ndaj zgjedhësve, e ulën besimin e publikut në procesin zgjedhor. PD-ja edhe LSI-ja i përsëritën pretendimet e tyre pranë MVZ-së së OSBE/ODIHR-it se kishte ndodhur një operacion masiv, i përhapur gjerësisht, për blerjen e votës. Të dyja këto parti treguan disa raste konkrete, por në mungesë të provave të mjaftueshme konkluduese, nuk paraqitën ndonjë ankim ligjor kundër rezultateve”.
22 pretendime- Ministria e Brendshme, gjatë kohës që drejtohej nga ministri i PD, Dritan Demiraj, ka konfirmuar, se gjatë periudhës zgjedhore nga data 26 maj-24 qershor 2017, janë dërguar për vlerësim në prokurori vetëm 19 raste të korrupsionit aktiv në zgjedhje dhe 2 raste të korrupsionit pasiv në zgjedhje.
Prokuroria- Ndryshe nga pretendimet e PD-LSI, Prokuroria e Tiranës dhe prokuroritë e rretheve nuk kanë regjistruar asnjë procedim penal për shitblerje të votave në zgjedhjet parlamentare të 2017. Të dhënat e Ministrisë së Brendshme për zgjedhjet e 2017 (Për periudhën zgjedhore nga data 26 maj-24 qershor 2017) -“Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, 19 vepra penale, në Berat. -“Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, 2 vepra penale, në Berat. -“Pengimi i subjekteve zgjedhore”, 7 vepra penale. -“Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, 4 vepra penale. -“Kanosja apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, 11 vepra penale. -“Shpërdorimi i autoritetit policor”, 1 vepër penale (Gjatë procesit të votimit të datës 25 qershor 2017) -“Korrupsioni aktiv në zgjedhje” 10 vepra penale. -“Pengimi i subjekteve zgjedhore” 1 vepër penale. -“Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve”, 1 vepër penale. -“Dëmtim me dashje i materialit zgjedhor”, 1 vepër penale. -“Shkelje e fshehtësisë se votimit”, 5 vepra penale. -“Votim me shumë se një here ose pa u identifikuar”, 2 vepra penale. -“Kanosja apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje” 4 vepra penale. -“Braktisja e detyrës nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve”, 1 vepër penale. Të dhënat e prokurorisë për zgjedhjet e 2017 Korrupsioni aktiv në zgjedhje (neni 328), zero procedime penale. Korrupsioni pasiv në zgjedhje (neni 328/b), zero procedime penale. Pengimi i subjekteve zgjedhore (neni 325), 5 procedime, asnjë i dënuar nga gjykata. Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve, (neni 326), 20 procedime, asnjë i dënuar nga gjykata.
Shkelja e fshehtësisë së votimit (neni 327), 5 procedime, 2 të dënuar nga gjykata. Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar (neni 327/a), 1 procedim, 1 i dënuar nga gjykata. Detyrimi për pjesëmarrje në veprimtari politike (neni 328/a), 15 procedime, asnjë i dënuar nga gjykata. Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje (neni 329), 1 procedim, 1 dënuar nga gjykata. Pengimi i zgjedhësit (neni 330), zero procedime penale. Braktisja e detyrës nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve (neni 330/a), zero procedime penale. Marrja ose përdorimi i paligjshëm i dokumenteve të identifikimit (neni 331/a), zero procedime penale. Shpërdorimi i autoritetit ushtarak (neni 332), zero procedime penale. Shpërdorimi i autoritetit policor (neni 332/a), 1 procedim penale, asnjë i dënuar nga gjykata. Korrupsioni aktiv në zgjedhje, neni 328 i Kodit Penal
Ofrimi ose dhënia e të hollave, të mirave materiale, premtimi për vend pune ose favorizime të tjera në cilëndo formë në kundërshtim me ligjin, për zgjedhësin ose persona të tjerë të lidhur me të, me qëllim marrjen e firmës për paraqitjen e një kandidati në zgjedhje, për të votuar në një mënyrë të caktuar, për të marrë pjesë ose jo në votime, ose për t’u angazhuar në veprimtari të paligjshme për mbështetjen e një kandidati ose partie politike, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një vit deri në pesë vjet.
Korrupsioni pasiv në zgjedhje, neni 328/b i Kodit Penal- Kërkimi ose pranimi nga zgjedhësi i të hollave, të mirave materiale, ose favorizimeve të tjera në cilëndo formë në kundërshtim me ligjin, për vete ose të tjerët, me qëllim për të dhënë firmën për paraqitjen e një kandidati në zgjedhje, për të votuar në një mënyrë të caktuar, për të marrë pjesë ose jo në votime, ose për t’u angazhuar në veprimtari të paligjshme në mbështetjen e një kandidati ose partie politike, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.


