Pyetje: Situata në dhe përreth Ukrainës po përkeqësohet. Duket se ka edhe një lloj përplasje indirekte me ndonjë shtet të NATO-s. A shikoni që të ketë përshkallëzim të mëtejshëm midis NATO-s dhe Rusisë?
Përgjigje: Propandanda mediatike 10-vjecare e ka bërë efektin e vet në popullatë. Vazhdohet me lajme të njehsuara dhe të mirëkontrolluara kudo. Nga burime alternative dhe sipas ekspertëve të pavarur ushtarakë mësohet se Rusia po përgatit një sulm masiv në Ukrainë këtë pranverë. Rusia vazhdon të avancojë në terren (mbi 2000 km vijë fronti), ndërsa ushtria ukrainase degradohet gradualisht në këtë luftë “sfilitëse” që është e humbur. Trajektorja e luftës nuk mund të ndryshohet, as të ndodhë ndonjë mrekulli në terren.
Sa më gjatë të vazhdojë lufta, aq më shumë jetë njerëzish do humben, aq më shumë shkatërrim do të ketë, aq më shumë territor do të humbasë Ukraina. Mish për top! Ajo luftë nuk duhej të ishte kurdisur dhe nisur, ajo duhej të ishte ndalur dje!
Kuptohet që kjo nuk është luftë për territor, por luftë politiko-strategjike që perëndimi e kurdisi, e provokoi dhe po e shtyn të vazhdojë, përmes një të treti – Ukrainës – për të dobësuar Rusinë politikisht, ekonomikisht, ushtarakisht, për të vënë dorë te pasuritë enorme natyrore ruse, etj., (eNeë York Times pati artikull pët këtë para disa ditësh), mundësisht edhe për të ndarë territorialisht, siç mësohet të jetë thënë nga dikush që shquhet për rusofobi të skajshme patologjike.
Rusia do t’a vazhdojë luftën derisa, sipas saj, të jetë bërë denazifikimi, me fjalë të tjera, derisa të jetë larguar përfundimisht qeveria e një grupimi të ekstremit të djathtë që, në thelb, është radikalisht kundër çdo gjëje ruse, si dhe kur të jenë adresuar të gjitha shkaqet rrënjësore të kësaj lufte. Po flitet dhe se do krijohen kushte për zgjedhje. Qeveria e re, në mos e dashur me rusët, së paku nuk do jetë armiqësore me ta, por në fqinjësi normale, një qeveri që nuk do e kthejë vendin në platformë ushtarake për të sulmuar Rusisë. Ajo e sheh si rrezik egzistencial.
Për pjesën e dytë të pyetjes: kohët e fundit ka pasur përplasje midis forcave ruse dhe atyre të NATO-s në Detin Baltik dhe në Detin e Zi. Në këto tre vjet luftë, Rusia rrallë ka ndërhyrë tek fluturimet e zbulimit, të monitorimit dhe grumbullimit nga ajri të informacionit për vendndodhjen, stacionimin e forcave të kundërshtarit, të terrenit, që njihet si ISR, në këto rajone.
Rusia filloi të ndjekë një përqasje më agresive ndaj misioneve ISR të NATO-s. Ajo po përdor luftën elektronike për të bllokuar sistemet e navigacionit (të aviacionit), si dhe duke ngritur avionët e saj për të interceptuar dhe shënjestruar objektivat e NATO-s nga sistemet e mbrojtjes ajrore ruse. Shtete të NATO-s, në mënyrë të veçantë Franca, duke turfulluar, janë ankuar ndaj këtyre veprimeve, por duke injoruar përgjegjësinë e saj që provokoi këtë reagim rus. Dhe është rritur numri i fluturimeve sfiduese ruse ndaj fluturimeve të NATO-s, veçanërisht pas takimit të Putini me këshilltarët e sigurisë kombëtare. Zor të jetë koincidencë.
Ecën dorë-për-dore synimi i Perëndimit për të siguruar që të vijojë t’a përdorë Ukrainën si “mashë” për të dobësuar Rusinë si dhe për të vënë dorë te burimet natyrore ukrainase. Mendohet se nëse Rusia shtie në dorë këto burime, do të ishte katastrofë për aleatët e Ukrainës. Cështja e mineraleve është kthyer në katastrofë politike. Të nxjerrësh nga toka minerale kushton miliarda, dhe për ta vënë në vijë atë proces duhen dekada. Rusët e kuptojnë këtë dhe nuk bien dakord për armëpushim derisa të plotësohen kërkesat që u paraqitën në takimin e Putinit me punonjësit e MPJ ruse në qershor 2024.
Pyetje: Presidenti Trump njoftoi shtypin se kanë filluar bisedimet direkte me Iranin dhe ato po vazhdojnë. Ai ka bërë edhe një paralajmërim ndaj Iranit lidhur me programin e tij bërthamor. Si e shihni?
Përgjigje: Koloneli amerikan Macgregor e ka krahasuar ultimatumin e Presidentit Trump me atë që Austro-Hungaria i bëri Serbisë në 1914, një “ofertë që nuk mund të refuzohej”. Serbia pranoi 9 nga 10 kërkesat austro-hungareze dhe refuzoi vetëm një. Austro-Hungaria menjëherë i shpalli luftë. Kështu u ndez Lufta e Parë Botërore.
Më 4 shkurt 2025, Presidenti Trump nënshkroi një Memorandum Presidencial për Sigurinë Kombëtare (NSPM), që do të thotë direktivë ligjërisht e detyrueshme për zbatim. Memorandumi i kërkon agjencive të Administratës të kryejnë me përpikmëri veprimet e specifikuara. Ato kërkesa përmbanin: Irani nuk duhet të lejohet të ketë armë bërthamore; nuk duhet të ketë raketa ndërkontinentale; dhe nuk duhet të ketë as dy kapacitete të tjera të armëve asimetrike dhe konvencionale.
Këto kërkesa i kapërcejnë kufijtë e Traktatit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore (NPT) dhe të JCPOA-së (Joint Comprehensive Plan of Action) me Iranin. Për të arritur qëllimin, Memorandumi urdhëron që t’i bëhet presion ekonomik maksimal; që Thesari i SHBA të veprojë për të çuar në kuotën zero eksportet e naftës iraniane; që SHBA të punojë për të aktivizuar rikthimin e menjëhershëm të sanksioneve; dhe që të neutralizohet “ndikimi negativ i Iranit jashtë”. Sipas JCPOA-së, rikthimi i menjëhershëm i sanksioneve skadon në tetor të këtij viti. Pra, është kohë e shkurtër për të përmbushur kërkesat procedurale për rikthimin e sanksioneve. Kjo shpjegon përse Presidenti Trump dhe zyrtarët izraelitë japin pranverën si afatin e fundit për të arritur një marrëveshje të negociuar. Ngjan me shkëndijën që ndezi Luftën e Parë Botërore në 1914.
Kërkesat ligjërisht të zbatueshme nuk mund të arrihen. Po të pranohen kërkesat e Presidentit Trump do të thotë që Irani, si shtet, të neutralizohet krejt, të zhvishet nga sovraniteti i tij. “Toni” i kërkesave, si rezultat, nënkupton kërcënimin për ndryshim regjimi.
Kërkesat e tanishme janë në thelb të njëjta me 12 kërkesat që Presidenti Trump pati bërë në 2018, pasi u tërhoq nga JCPOA dhe, me pëlqimin e Netanyahut, iu bashkua linjës së tij ndaj Iranit, se çdo marrëveshje me Iranin është “e keqe”. Aty përfshihet heqja dorë, në mënyrë të përjetshme dhe të verifikueshme, nga programi bërthamor dhe ndërprerjen e pasurimit të uranit. Ndryshimi i vetëm me sot është: nëse Irani nuk bën marrëveshje, do ketë pasoja të tilla që nuk e kanë parë ndonjëherë më parë.
Kërkesat e tanishme ndaj Iranit bien ndesh me Vlerësimin e Kërcënimit të Zbulimit Amerikan (US Intelligence Threat Assessment) i datës 25 mars 2025, sipas të cilit Irani nuk po ndërton bombë bërthamore. Kjo u konfirmua edhe nga Tulsi Gabard në Senat. Ky Vlerësim po injorohet. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Presidentit Trump, Uolc, tha para se të dilte raporti, se Administrata kërkon “çmontimin e plotë” të programit bërthamor të Iranit: “Irani duhet të heqë dorë nga programi i tij në atë mënyrë që të mund ta shohë e gjithë bota.” “Është koha që Irani të largohet plotësisht nga dëshira për të pasur armë bërthamore.”
Ndërkohë, është në fuqi “fatwa” e Ayatollahut. Ali Larixhani, ish-Kryetar i Parlamentit Iranian dhe këshilltar i Ayatollah Khameneit, tha se në rast se do bombardohet Irani, kjo do jetë nxitje që Irani të prodhojë armë bërthamore. Nëse ndodh, “ekuacioni” do të ngrihet në një nivel krejt të ri.
Tre ditë më parë Netanjahu u prit në Shtëpinë e Bardhë. Pardje u takuan në Moskë Irani, Kina dhe Rusia për programin bërthamor të Iranit. Po pardje Parlamenti rus, DUMA, miratoi marrëveshjen e partneritetit strategjik me Iranin. Irani ka dy miq dhe partnerë të mëdhej! Para disa ditësh, sipas shtypit, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, Rafael Mariano Grossi, me të cilin kam punuar dy vjet në një kabinet, tha se Irani nuk ka armë bërthamore, por ka material bërthamor të mjaftueshëm për të prodhuar 5 ose 6 bomba. (Irani ka uran të pasuruar në nivelin 60 përqind.). SHBA ndërkohë ka njioftuar se ka pasur takim direkt me Iranin dhe do ketë përsëri takim direkt nesër në Muskat, Oman.
Një luftë me Iranin do jetë katastrofale. Ajo do shrregullojë, do prishë tërë furnizimin global të energjisë, do mbyllet Gryka e Hormuzit, ndoshta edhe Deti i Kuq, nga ku kalon një pjesë shumë e madhe e naftës dhe gazit, do bombardohen impiante nafte dhe energjie, porte, baza ushtarake,etj. Ka rëndësi të dihet se Kina sot importon nga Irani 30 perqind të nevojave të saj për naftëi!
Armiqësi e skajshme! Ndoshta disa milionë në Izrael e shohin veten të destinuar për të kontrolluar gjithëçka ne sot e quajmë Lindja e Mesme, Levanti, që disa e quajnë Azia Perëndimore, ndërsa disa të tjerë Izraeli i Madh. Besohet se Zoti i ka mandatuar t‘a marrin këtë tokë, dhe të gjithë ata që kundërshtojnë janë Amalek. Besohet se Amalek-ët kanë dëshirë të pashoqe për të vrarë hebrenjtë. Torah e ka të shkruar historinë e Amalek: „Parshat Ki Teitzei“ kur thotë „machon timcheh et Zecher Amalek“ ( duhet të fshijmë kujtesën e Amalek).
Ky komandament i Torah është një nga faktorët kyç që qëndron në rrënjë të obsesionit të Izraelit me Iranin. Izraelitët duket se e perceptojnë Iranin si tribu Amalek, që komploton për të vrarë hebrenjtë dhe pengon hegjemoninë izaelite në Lindjen e Mesme. Me ta muk është i mundur asnjë kompromis. Kjo lidhet edhe me sfidën strategjike të Iranit ndaj shtetit të Izraelit. Ka disa dekada që kërkohet të sulmohet Irani, por duke tentuar të tërhiqet SHBA në këtë luftë.
Rreziku zot është absolutisht me i madh se ka qenë ndonjëherë, sepse nuk ka më rregulla! Çdo përshkallëzim dhe, më keq, luftë tjetër në këtë rajon, vecanërisht me Iranin, do jetë katastrofë me dimension botëror me pasoja jashtëzakonisht të mëdha për gjithë njerëzimin, në të gjitha drejtimet. Vetëm mund të shpresohet që nuk do bihet në grackën e luftënxitësve ekstremë, por do mbizotërojë arsyetimi i fortë, analiza e thellë, kalkulimi i kostove, peshimi real i mundësive për fitore ose humbje.