Panairi i librit hapi separin e tij më datë 14 dhe prej asaj dite, qytetarët kanë rendur tek autorët e tyre të preferuar dhe fëmijët tek librat e rinj që mund ti largojnë sadopak nga teknologjitë e reja dhe smartphonat.
Në një intervistë ekskluzive për AlpeNews.al, gazetari dhe pedagogu i njohur Erion Kristo, rrëfën piëkrisht mbi tri librat e fëmijëve që ai ka përkthyer e që mund ti gjeni në Panair.
Kristo gjithashtu jep sygjerimet e tij për librat dhe këshilla për prindërit dhe lexuesit.
Intervista e plotë:
1.Keni zgjedhur përkthimin e tre librave për fëmijë. Cila është përmbajtja e tyre?
Gjatë këtij viti kam përkthyer dhe redaktuar shumë libra. Gjashtë libra të përkthyer dhe tetë të redaktuar. Spikasin librat për fëmijë sepse ata janë më të bukurit. E kam si nijet që gjithmonë duhet të bëj diçka për fëmijët. Këta tre libra, për të cilët ju po flisni, kanë një tematikë të veçantë: bullizmin, mujsharinë, kapadaillëkun. Ju e dini si jemi ne shqiptarët: funksionojmë me parimin e më të fortit. Kjo hap probleme për shoqërinë dhe aq më tepër për fëmijët.
2.A ka një interes të shfaqur nga fëmijët për librat, apo po i drejtohen gjithnjë e më shumë teknologjisë dhe rrjeteve sociale?
Fëmijët i duan librat, po ne duhet tua mësojmë këtë dashuri. Rrjetet sociale dhe teknologjia e ka përthithur vëmendjen e tyre, por ne nuk po dimë që tua shkulim nga duart, apo ta kthejmë teknologjinë në mbështetje të librit. Për momentin ka interes për librin. Shumë shkolla sjellin nxënësit në panair. Është bërë si zakon tashmë. Por jeta vazhdon edhe pas panairit. Duhet më shumë angazhim shoqëror në këtë drejtim. Kam vënë re se fëmijët e duan librin nëse ua shpjegon, nëse ua bën të dashur, nëse ua ofron me teknikën e duhur. Nga ankimi duhet të hidhemi të veprimi.
3.Cili është një nga librat pjesëmarrës në Panair që ju ia sugjeroni publikut?
Net pa gjumë dhe puthje në mëngjes.
4.Çfarë mund të na thoni për rëndësinë e librit gjatë viteve të fundit? A vazhdon publiku ta dojë atë?
Ka një rritje të interesit për librin. Statistikat që janë bërë jo vetëm që nuk janë të sakta, por janë marrë në kontekstin mësimor. Pra, janë pyetur njerëzit nëse studiojnë gjatë gjithë jetës. Aty është ndërkallur dhe pyetja e famshme për 1 milion moslexuesit. Mua nuk më rezulton kështu. Njerëzit i qasen librit. Ka lloj-lloj librash. Tashmë sipas interesave dhe shijeve të lexuesve. Mund të bëhet shumë herë më tepër se sa kaq. Ka filluar dhe një fushatë për leximin si praktikë jetësore. Presim.
5.Mendoni se ky Panair ka atmosferë më të vakët se vitet në vijim dhe a lidhet kjo me rënien e lexuesve?
Unë nuk e mat panairin me numër lexuesish. Unë e mat me botime. Botime të reja dhe të mira ka plot. Suksesi do vijë. Në mos në panair, pas panairit. Libri aty është. Cilësia e botimeve është rritur. Kjo është gjë e mirë.
6.Një këshillë e juaja për gjithë lexuesit e rinj?
Nuk ka lexues të rinj. Ka prindër të pakujdesur. Prindërit e kujdesur i bëjnë fëmijët që të lexojnë që gjashtë muajsh. Kur prindi i lexon fëmijës i hap horizonte, e bën prindin më të dashur. Toni i zërit prindëror është si ilaç për fëmijën. I jep besim. Mësojini fëmijët tuaj të lexojnë pa ditur të lexojnë. Ka plot libra për këtë, me figura. Librat janë themelet më të sigurta ku mund të ngrihet një komb. Me gjethe hashashi, vetëm tronditje do kemi.
Përgatiti: AlpeNews.al