Ish-drejtuesi i UÇK-së, Bedri Islami dëshmon prapaskenat dhe informacionet që kishte UÇK-ja në lidhje me vrasjen e Azem Hajdarit në Shqipëri. Spiunët e Ali Ahmetit brenda radhëve të Bukoshit, informuan UÇK-në se Berisha dhe Bukoshi po pregatisnin një revolucion të ngjashëm me atë të vitit 1924. Do të ishte skenari i njëjtë me atë të vrasjes së Avni Rustemit.
Në pjesën e dytë të intervistës së Bedri Islamit, ai ka dëshmuar edhe në lidhje me prapaskenat që çuan në vrasjen e Azem Hajdarit dhe për rrjedhojë edhe të 14 Shtatorit. Islami shprehet se një nga krerët e UÇK-së, Ali Ahmeti, kishte infiltruar disa njerëz pranë grupeve paramilitare të kontrolluara nga Bujar Bukoshi dhe që ishin të afërta me Berishën në vitin 1998.
Këta njerëz e informuan UÇK-në që përpara vrasjes së Azem Hajdarit se Berisha dhe Bukoshi ishin duke përgatitur një skenar të ngjashëm me vrasjen e “Avni Rustemit”, ku pas vrasjes së “heroit” do të shpërthente “revolucioni”. Islami shton se UÇK-ja e kishte të zbardhur lidhjen e gjakut të bashkëshortes së Berishës me familjen serbo-malazeze Bulatoviç, sipas tij anëtarë të ndryshëm të kësaj familjeje në atë kohë kontrollonin disa nga postet shtetërore më kyçe në Serbi, një prej tyre ka qenë dhe Momir Bulatoviç, ish-Presidenti i Malit të Zi.
Gjatë kohës së luftës sipas Islamit, ishte me rëndësi orientimi dhe deklaratat që vinin nga Ismail Kadare, ndërsa ai veçon si politikanë të spikatur në ndihmën që i është dhënë UÇK-së, Ilir Metën, Pandeli Majkon dhe Sabri Godon. Sipas Islamit, Adem Jashari nuk kishte asnjë pritshmëri pozitive nga Berisha ndërsa Hashim Thaçi përpiqej ta shmangte sa më shumë Berishën gjatë kohës së luftës.
Në dëshminë e tij Bedri Islami tregon dhe një episod të vitit 1996, kur Bujar Bukoshi i kërkoi UÇK-së të eliminonte Ibrahim Rugovën, sipas Islamit në këtë kohë edhe Berisha edhe Bukoshi ishin të interesuar në kryerjen e këtij akti.
Si komentoheshin në Shtab deklaratat e Berishës kundër UÇK-së, sidomos në fillimet e luftës së hapur?
Që të jem krejtësisht i sinqertë me ju, nuk na bënin përshtypje deklaratat e tij, por veprimet e tij. Kur ai filloi të bënte deklarata politike kundër luftës ishte shumë vonë për të, ai nuk ishte më askush. Nëse ka pasur një politikan në Tiranë që nuk kishte asnjë lidhje pozitive me UÇK-në, ai ishte Berisha. Pas marsit të vitit 1998 ai ishte krejtësisht i izoluar. Nuk pyeste askush për të, megjithëse veprimet e tij, edhe pas kësaj periudhe, kanë dëmtuar jashtëzakonisht. Në Lëvizjen klandestine çlirimtare nuk kanë bërë përshtypje as deklaratat e Berishës e as të Rugovës, megjithëse shpesh herë ato kanë qenë skandaloze. Sikur ata të kishin bërë vetëm një thirrje për bashkimin e të gjithëve rreth UÇK-së, gjërat do të kishin ndodhur krejt ndryshe. Medet, ata nuk e bënë dot këtë. Por ka pasur një njeri, të cilit , si të thuash, i kushtonim kujdes pas çdo qëndrimi publik, thëniet e të cilit i prisnim, si të ishin të një lideri politik të pashpallur. E pra me të nuk kishte lidhje të drejtpërdrejta, megjithëse ishin vendosur lidhjet. Ky ishte Ismail Kadare. Çdo qëndrim i tij ishte i një rëndësie të veçantë, ai vlente e peshonte më shumë se gjithë të tjerët të marrë së bashku. Ai dhe Rexhep Qosja, por Qosja ishte pjesë e jona, ishte si ne, ndërsa Kadare ishte një zë tjetër, atë e prisnim.
-Jeni shprehur në një intervistë të mëparshme se Hashim Thaçi kishte “ndjenja të trazuara” ndaj Berishës. Përpiqej të kuptonte qëndrimet e tij të forta politike me Kosovën, por vlerësonte dhe rolin e xhaxhait të tij, Sulejman Berishës, që e vuri shtëpinë e tij si bazë të UÇK-së në dispozicion. Mund të specifikoni momente të qëndrimeve apo të mendimeve të Thaçit gjatë kësaj kohe?
Hashim Thaçi ka qenë njëri ndër drejtuesit kryesorë të organizatës sonë, LPK-së. Nga këtu ai është bërë pjesë e UÇK-së dhe drejtor politik i saj. Por Thaçi, që në fillim, më shumë se një luftëtar, kishte shtatin e njeriut të politikës. Në kohën e presidencës Berisha ai do të ishte njëri ndër ilegalët që do të burgosej. Shkaku është absurd, gjetja e një mjeti logjistik ishte i natyrshëm për një njëri të lëvizjes ilegale, çka dihej për të. Xhavit Haliti, përfaqësuesi i Organizatës në Shqipëri, përmes lidhjeve të krijuara, do bënte të mundur lirimin e tij. Ne, në fakt, pavarësisht dyshimeve, e donim bashkëveprimin me Berishën. E kemi dashur me të gjithë që do të ishin në pushtet, si rrjedhojë e besimit të njerëzve. Berisha nuk e donte bashkëpunimin me lëvizjen ilegale. Jo sepse mendohej se ajo ishte një lëvizje e majtë, pasi nga vetë Lëvizja, kur ajo shkëputi nga vetja mendimin ideologjik, u shkëput një fraksion, i cili ishte thjeshtë lëvizje ideologjike e majtë, por që kishte lidhje dyfish të mira, me Berishën e me Bukoshin. Hapësira politike e Thaçit në Shqipëri, deri në marsin e vitit 1998, ishte e kufizuar, e ngushtë. Ai ishte ilegal në vendin e tij, kjo është e kuptueshme. Gjatë kësaj kohe ai kishte hyrë disa herë ilegalisht në Kosovë, por ilegalisht edhe nga vendi i tij. Më pas, kur bashkëpunimi ynë u rrit, Thaçi nuk ishte njeri që i bënte përshtypje e shkuara, dhe për të, Berisha ishte e shkuara. Fakti që klane të lidhur me Berishën, edhe pas majit të vitit 1998, po e dëmtonin strukturën logjistike të UÇK-së, ishin dëshpëruese. Njëherë, kur u takuam gjysmë ilegalisht, i thashë se do të ishte ndoshta e arsyeshme që të krijonim një lidhje edhe me njerëzit e Berishës, sidomos në veriun e Shqipërisë, mirëpo , asokohe, kishte gjëra më të rëndësishme përpara. Thaçi, gjatë luftës, nuk vendosi asnjë kontakt me Berishën, e nuk kishte përse…e përsëris, asokohe, Berisha ishte askush në lëvizjen çlirimtare.
Si u prit në radhët e LPK-së thyerja e embargos së naftës me Serbinë në vitet 90‘?
Shumë gjëra janë ditur që asaj kohe, shumë të tjera janë bërë të qarta më pas. Për shembull është ditur se besimi tek Berisha duhet të ishte i kujdesshëm, jo vetëm për shkak të qëndrimit të tij politik ndaj lëvizjes çlirimtare, por edhe për shkak të lidhjeve të tij martesore. Ishte pak e besueshme, por ishte e vërtetë se Berisha kishte lidhje martesore në një familje gjysmë serbo-malazeze, por jo të zakonshme, si mund të kishte ndodhur rëndom në vitet pas çlirimit. Familja e Milicës, më pas Vera, ishte familje e njohur për lidhjet me shërbimet e fshehta të sigurimit serbo-malazez. Njerëzit e familjes së saj ishin ende në rrethin e afërt të njerëzve të Millosheviçit, sidomos të Bulatoviçit (Momir Bulatoviç, ish-President i Malit të Zi, personi që kontaktoi Berishën dhe ku u vendos thyerja e embargos së naftës, shën.red). Shërbimi ynë informativ kishte njohuri për lidhjet e mëtejshme të tyre. Po ashtu për vizitën e ish-Presidentit malazez në Shqipëri, ndërsa shitja e naftës ilegalisht nuk ishte sekret për askënd. Përralla e shëmtuar dhe e trashë e ditëve të sotme të Berishë se, shiti naftë për të ndihmuar shqiptarët në Kosovë, është e shëmtuar. Me atë naftë ka punuar makineria ushtarake serbe, e cila i vrau njerëzit në Kosovë. Por, më e hidhur se kjo, ishte tregtia e armëve. Ministri i asaj kohe, Zhulali, dëshmoi se Shqipëria ka armë për t’i shitur gjysmës së Evropës, por shitja po bëhej për serbët e Bosnjës. Shokët e Lëvizjes që ishin aty, anëtarë të devotshëm që më pas u bënë pjesë drejtuese e UÇK-së, informuan se ka një lëvizje të ndjeshme të këtij armatimi. Më pas, lëvizja ilegale, është detyruar të blejë nga ky armatim… që kur e kërkonte në Shqipëri, jo vetëm nuk i shitej, por i sekuestrohej dhe dënohej edhe kur e gjente. Berisha bëri disa takime të fshehta me tregtarët e politikës serbe e malazeze, njerëz të afërt të tij u takuan në Shkodër e në Tiranë me njerëz të Millosheviçit, kjo vazhdoi deri në kulmin e krizës së vitit 1997 në Shqipëri, por edhe atëherë, befas, Berisha, përmes disa figurave të njohura në Kosovë, si Demaçi, Hydajet Hyseni etj, u përpoq të radikalizonte gjendjen befasisht në Kosovë, për të hequr vëmendjen nga Shqipëria. Ky është momenti kur ai do të prishet përfundimisht me Rugovën, por për këtë askujt nuk i erdhi keq.
Si e shikonit ju mbështetjen që Berisha i jepte Bukoshit dhe FARK-ut në atë kohë?
Kjo është një histori e mëvonshme, por që zë fill aty nga viti 1996. Është koha kur Bukoshi ishte hidhëruar me Rugovën dhe kur i bënte ofertë Lëvizjes Çlirimtare për të ndihmuar atë, me kushtin e vetëm që lëvizja ilegale të eliminonte Rugovën. Në takimin e Bukoshit me një përfaqësues të Lëvizjes, Shaban Mujën, ai bëri këtë propozim skandaloz. Ne nuk ishim të afërt me Rugovën, politika e tij i binte ndesh luftës çlirimtare, por nuk ishim njerëz të terrorit politik. Në Kosovë ishin ndërmarrë aksione kundër disa figurave të njohura UDB-ashe, që hapur punonin me shërbimin e fshehtë serb, por jo kundër njerëzve të politikës. Edhe kur kishte pasur ndonjë kërkesë nga grupet ilegale për ndonjë figurë të dorës së dytë, që ishte edhe njeri i politikës, ishte hedhur poshtë kategorikisht. Është bërë kujdes që të shmanget skenari i ngjashëm me atë të Fikret Avdiçit në Bosnjë, skenar që e donte edhe Bukoshi, por edhe Berisha në vitin 1996. Në qarkun e njerëzve të afërt të Bukoshit ne kemi pasur njerëzit tanë… janë dërguar qëllimisht aty, sidomos janë dërguar nga Ali Ahmeti, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e më pas themelues e drejtues politik i Uushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni. Këta njerëz, atdhetarë, por edhe materialet që disponojmë, tregojnë për një mbështetje financiare të fuqishme të qeverisë Bukoshi ndaj Berishës e Azem Hajdarit, për të ndërprerë luftën çlirimtare; për shumë enigma pas bankës Dardania, që u zhduk pasi mbaroi misioni i saj spekulativ… kështu që lidhjet mes Bukoshit e Berishës ishin të interesit të përbashkët politik e financiar, por jo kombëtar. FARK-u u krijua pas fillimit të luftës, nuk mori pjesë në luftime, ishte e vetmja strukturë ushtarake që nuk bëri luftë e ku mund të mbështetej Berisha, ashtu si u mbështet në grushtin e shtetit të shtatorit 1998.
A kishte lidhje FARK dhe Bukoshi me atë që ndodhi në 14 shtatorin e vitit 1998 në Tiranë, pasi në opinionin shqiptar kjo lidhje është komentuar shumë dhe nga burime të ndryshme?
Ata ishin krahu i djathtë i Berishës në atë kohë. I duheshin edhe si mercenarë, edhe si njerëz të stërvitur ushtarakisht, edhe si dëshmi para botës perëndimore se UÇK-ja mbështet Berishën. Disa kohë më përpara, përmes shërbimit tonë informativ, ne e informuam shtetin shqiptar se Berisha po përgatit një lëvizje të ngjashme me atë që kishte ndodhur në Shqipëri në vitin 1924, pas vrasjes së Avni Rustemit. Pra, po përgatitej një gjë e ngjashme. Atyre iu duhej medoemos një kurban… (Sikurse dhe në protestat e opozitës aktuale. Një kurban, sipas mendësisë së tyre justifikon një revolucion, një përmbysje. Pavarësisht se kohët kanë ndryshuar aq shumë dhe skenare të tilla ngjajnë krejt absurde!) Ky informacion na erdhi nga njerëz të afërt me strukturat drejtuese të Bukoshit. Ishte paramenduar se një grup i ndjeshëm luftëtarësh në zonën e Dukagjinit do të braktisnin luftën dhe përmes Malit të Zi, që ishte pjesë e Serbisë, do të vinin në Tiranë. Kjo ndodhi. Mijëra armë u dorëzuan në pak ditë. Lufta pësoi një goditje të madhe. Dezertorët kaluan përmes Malit të Zi, krejt lehtësisht, si të ishin në shëtitje dhe erdhën në Tiranë. Ndodhi vrasja e paralajmëruar e Azem Hajdarit. Pra, si ishte parashikuar, u gjet shkaku i luftës civile. Berisha bëri grushtin e shtetit. Mes tyre edhe pjesë të FARK-ut, persona me uniformë. Rrëmbyen tanket, morën armët, pushtuan kryeministrinë, TVSH, bënë deklarata se qeveria ra, se erdhi një qeveri e re, FARK-u gëzoi nëpër kazermat ku ishte se kjo do të thoshte edhe shuarje e luftës çlirimtare, pasi kështu ishin bërë llogaritë. Po të krahasosh atë që ndodhi me 14 shtator 1998, në pikun e luftës dhe në pikun e ofensivës serbe në Dukagjin e në Drenicë, me atë që ndodhi me 21 janar, kjo e fundit duket si shëtitje. Por në këtë të fundit u vranë katër vetë, ndërsa më 14 shtator 1998, megjithëse Berisha dëshironte të kishte të vrarë, nuk ndodhi asgjë. Që atë mbrëmje, për të qartësuar gjërat, si drejtues i Lëvizjes Popullore të Kosovës, kam nënshkruar deklaratën politike, në të cilën ajo që ndodhi më 14 shtator ishte një grusht shteti, që aq sa drejtohej kundër qeverisë së ligjshme të shtetit shqiptar, drejtohej edhe kundër luftës çlirimtare, ndaj ishte dyfish e dënueshme. E po asaj nate, anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe përfaqësuesi i saj në Shqipëri, Xhavit Haliti, në emër të Drejtorisë Politike, e cilësoi si grusht shteti. Dhe ishte një grusht shteti i mirëfilltë. Nëse do të ndodhte kjo deri në fund, të vrarët në Kosovë do të ishin mijëra e mijëra më shumë dhe sot, në Kosovë, do të ishte ende pushteti serbomadh. E vërteta është kjo dhe vetëm kjo. Dhe kur nuk arritën të helmojnë lëvizjen çlirimtare me grusht shteti, ndërmorën një veprim tjetër, vranë Ahmet Krasniqin, në Tiranë, pikërisht kur ai ishte lidhur me strukturat e UÇK-së. Berisha më pas deklaroi se dinte se kush kishte marrë pjesë në vrasjen e tij, bile cilësoi se kaq ishin nga Shqipëria e kaq nga Kosova, por, edhe pas tetë viteve në pushtet, nuk e zgjidhi këtë enigmë, ashtu si nuk zgjidhi dot as enigmën e Azem Hajdarit, i cili, për hir të së vërtetës, nuk ka pasur asnjë lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Në vitin 1999 Hashim Thaçi firmosi marrëveshjen e famshme në Rambuje. I ndodhur në opozitë asokohe, Berisha i bëri thirrje të hapur politikanëve kosovarë për të mos e firmosur atë marrëveshje. Si e lexoni këtë qëndrim të tij në atë kohë? Si u prit kjo thirrje nga Thaçi?
Rambujeja është një moment kthese në historinë e kombit dhe, në atë kohë, pak vetë e besonin këtë. Më përpara se të ndalem tek roli i Berishës, desha të sqaroj një gjë tjetër. Politika shqiptare në Tiranë ishte e interesuar më shumë se kurrë ato ditë për nënshkrimin e marrëveshjes. Bile ishte e interesuar edhe më përpara se duhej të ishte e tillë. Ajo bënte thirrje të nënshkruhej pas secilit draft, megjithëse nuk i kishte lexuar draftet. Dhe jo të gjitha draftet kanë qenë njësoj, ata ndryshonin, dhe pas çdo kundërshtimi të Thaçit, vinin lëshime të reja, domethënëse. Në ato ditë unë kam pasur lidhje të përditshme me zotin Mejdani, President i Shtetit, zotin Thaçi, apo dhe me zotin Meta. Që të jemi deri në fund të sinqertë, njeriu që ishte më i interesuar për fuqizimin e UÇK-së në atë kohë ishte Ilir Meta. Emocionalisht ishte Pandeli Majko. Urtësisht ishte Sabri Godo, me të cilin u takuam në Rambuje. Ishte i interesuar edhe Paskal Milo, takimet me të cilin kanë qenë gjithnjë interesante, por jo pak të vështira, sidomos takimet e para. Mos të harrojmë, edhe qeveria socialiste, deri në qershorin e vitit 1998 hezitonte të takohej zyrtarisht me përfaqësuesit politikë të UÇK-së. Pastaj ndryshoi gjithçka, por kjo ka lidhje me takimin e zotit Hollbruk me përfaqësuesit politikë të UÇK-në në Zvicër. Takimi i Bardhyl Mahmutit, anëtar i Drejtorisë Politike dhe nënkryetar i Organizatës, ishte njohja e parë ndërkombëtare e UÇK-së.
Rambujeja ishte proces i vështirë. Draftet ishin të rrezikshme, sidomos fillimisht. Drafti i dytë lejonte vendosjen e ushtarëve serbë në Kosovë, të gjykatave, bankave, doganave, rikthehej viti 1974, por tashmë në kohë lufte. Pas këtij drafti erdhi reagimi i Berishës. Në atë kohë, ky reagim përputhej me qëndrimin tonë, ndaj ne asnjëherë, nuk kemi reaguar ndaj tij për këtë çështje. Nuk e di nëse ai ishte në dijeni të këtij drafti, nuk e kishte marrë prej nesh, si e morën shumë të tjerë e që nuk kthyen as mendimin e tyre… mund ta kishte marrë nga pala tjetër, por në fakt, në ato ditë, megjithëse nuk ishte i rëndësishëm, e askush nuk ia vuri veshin, ishte i pranueshëm. Gabimi i tij është se edhe pas përmirësimit të draftit, ai vazhdoi të ishte kundër. Në Shqipëri kjo kishte peshë, ka peshë ende sot në politikën e shtetit, por, të jeni i sigurt, se as asaj kohe e as më vonë, nuk kishte asnjë lloj peshe në vendimmarrjen e UÇK-së dhe të liderëve të saj. Duhet kuptuar më së fundi se për botëkuptimin e asaj kohe dhe për të vërtetën e saj, ai ishte askush. E përsëris që të mund të kuptohet, askush. Nuk është pyetur për asgjë, dhe veçse me të keqen, nuk kishte lidhje me asgjë.
Po Adem Jashari, si e ka parë këtë qëndrim të “çuditshëm” të Berishës në vite?
Kam pasur fatin e jashtëzakonshëm të kem në arkiv letra, regjistrime, biseda, kërkesa që drejtuesi i UÇK-së, Adem Jashari, i ka drejtuar Organizatës. Disa nga këto letra janë bërë publike. Disa ende presin kohën e duhur. Ademi nuk kishte ndonjë konsideratë të veçantë për Berishën. Edhe kur ai i cilësoi luftëtarët që ai vetë u printe si vegla të Arkanit, nuk ia zuri për të madhe… sepse në mendimin e tij nuk kishte vend për Berishën. Ka pasur gjithnjë drojën se tradhtia e vitit 1992 u erdhi nga Shqipëria dhe ka pritur më shumë prej saj. Sa ishte Berisha në pushtet, megjithëse i digjej shpirti për Shqipërinë, dhe aq shumë i donte, se në tri ditë luftë, këndonte këngën e Çerçiz Topullit, ai nuk shkoi asnjëherë në vendin amë.
Zoti Islami, ju si e shikoni popullaritetin e Berishës në Kosovë,ekziston vërtet “ miti“ i tij atje?
Në Kosovë ka vërtet shumë njerëz që e duan Berishën. Mund të them pa droje se ata që e donin gjithnjë Shqipërinë, pavarësisht se kush ishte në pushtet, janë të ftohur me të, ashtu si ka edhe shumë të tjerë që nuk e duan. Më së shumti, ata që e duan, janë të lidhur me klikën e vjetër të politikës, ose që kanë ardhur nge Lidhja Komuniste e Kosovës, degë e Lidhjes komuniste të Serbisë. Pas vitit 1989 ata u shndërruan brenda një nate në demokratë, pastaj pritën ndryshimet në Shqipëri, duke paralajmëruar si kasandrat fundin e saj. Më në fund krijuan mitin e njeriut të tyre, Berisha. Ata kishin shtypin, medien, politikën e njohur të pëshpërimës. Ky mit tani ka rënë, do të bjerë edhe më tej, deri sa të shkelet. Jam çuditur gjithnjë me këtë që ka ndodhur e që po zhbëhet. Si mund të besosh tek një njeri që tallet me ndjenjën kombëtare? Po mendoja një çast sikur lideri i opozitës të ishte dhëndër serb, siç është Berisha, të kishte qenë komunist fanatik e drejtues partiak, si ishte Berisha, të kishte ndihmuar një makineri vrasëse siç e ndihmoi Berisha Millosheviçin, të kishte Serbinë edhe sot, në vendin e tretë për shkëmbimin tregtar siç bën Berisha, të kishte mik familje një serbo-boshnjak si Fazlliçi siç e ka Berisha, dhe ky Fazlliçi që është nipi i ish-Shefit të shërbimit të fshehtë serb; të dërgojë këtë Fazlliçin në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të shtetit, siç bëri Berisha; të ketë fëmijët e lidhur në biznese me këtë serbo-boshnjak siç bën Berisha, të afishohej haptas kundër luftës çlirimtare, si u afishua Berisha… çfarë do të ndodhte mendoni ju? E imagjinoni dot për një moment se çfarë do të ndodhte? Miti i Berishës është miti enigmë në Kosovë, që nuk ekziston, por që mundohen ta ngrenë… Ai po bie përfundimisht. Sa më shpejt të bjerë përfundimisht, aq më mirë do të jetë.(DITA)