Askush nuk do ta kujtojë të sëmurë apo të ligur nga sëmundja Ilia Terpinin. Në mendjen e të gjithëve, ai është njeriu i kudogjendur, me aparatin fotografik në krah. Në çdo aktivitet ishte aty, duke “vjedhur” portrete njerëzish, që më pas ua dhuronte të gjithëve.
Gati i habiti të gjithë ikja e tij. Deri vonë e prisnim të na rrëfente histori nga ato të xhirimeve, për personazhe të shquara të filmit shqiptar, për prapaskena, për zbulime portretesh.
“Ai kishte një sy të mprehtë, një shqisë të rrallë”, thonë kolegët, ndërsa urojnë që dikur, kinemasë shqiptare, t’i vijë një tjetër Ilia Terpini. Energjiku dhe optimisti i përjetshëm, një nga operatorët më të mirë të kinematografisë shqiptare, Ilia Terpini, u përcoll dje për në banesën e fundit. Homazhet për nder të operatorit dhe drejtorit të filmit, i cili u nda nga jeta në moshën 82- vjeçare, u zhvilluan pranë Muzeut Historik Kombëtar, ku qindra miq, kolegë, të afërm, u përkulën për herë të fundit përpara trupit tij pa jetë. Të gjithë kanë shumë për të treguar nga bashkëpunimi me Terpinin dhe të gjithë bien në një mendje se ai ishte një artist i rrallë, me një dashuri të jashtëzakonshme për të bukurën, i papërtuar dhe i kudondodhur. E ndërsa kolegët e tij ruajnë aq shumë kujtime, publiku ndoshta ende nuk e di se sa e sa detaje mbresëlënëse nga disa nga filmat më të mirërealizuar në kinematografinë shqiptare janë, meritë e operatorit Ilia Terpini.
Kamera e tij ka realizuar filma si “Dimri i fundit”, “Ballë për ballë”, “I teti në bronz”, “Mësonjëtorja” apo “Flutura në kabinën time”, të cilët kanë mundur t’i rezistojnë kohës falë mjeshtërisë së stafit realizuar, ku Terpini kishte një rol të dorës së parë. Terpini ishte “Artist i Merituar”, dhe ka “Medaljen e Punës”, “Çmimin e Republikës”. Është vlerësuar me medalje në 6 festivale të filmit si dhe ka çmim kombëtar për fotografinë artistike. Ai mban urdhrin “Mjeshtër i Madh”.
DITËT E FUNDIT
Operatori Ilia Terpini u nda nga jeta jashtë vendit, në Francë, ku kishte shkuar të kurohej. I biri, Klevisi, i cili jeton në një qytezë pranë Gjenevës dhe iu gjend në momentet e fundit, mes dhimbjes tregon ditët e fundit të të atit.
“Pata fatkeqësinë dhe fatin e madh që që nga 10 prilli që erdhi, jetuam bashkë. Ai erdhi atje për t’u diagnostikuar, por me këtë rast njohu edhe familjen time. Ishte një situatë komplekse, të cilën e kam përjetuar fort. Bëmë të pamundurën. Edhe ai, edhe ne. Ai kishte shpirtin e aventurës dhe ne i kemi ngjarë atij. Brenda asaj periudhe që ndenji atje, u familjarizua me vendin dhe pavarësisht se nuk njihte gjuhën, krijoi miqësi dhe fitoi respektin e të gjithëve. Ato momente që na dhuroi, ishin shumë të ëmbla”, thotë ai.
Sipas të birit, shqetësimet shëndetësore të të atit kishin nisur prej muajit mars dhe për të qartësuar diagnozën, iu drejtuan shërbimeve mjekësore në Francë, që, fatkeqësisht, siç tregon Klevisi, u treguan të ngadaltë në trajtimin e sëmundjes, e cila ishte shumë e avancuar.
“Kur bëhet fjalë për jetë njerëzish, sidomos kur koha është shumë e shkurtër, trajtimi, bashkëpunimi mes mjekëve, infermierëve, stafit, duhet të jetë më i shpejtë. Në Francë, fatkeqësisht nuk e gjetëm”, thotë ai. Sa për trajtimin në Shqipëri, nuk di të thotë, iu drejtuan shërbimit të huaj, për një rezultat më të shpejtë e më të mirë.
Zhani Terpini: Pamjet nga rrëzimi i diktatorit, që nuk u shfaqën kurrë
Për Zhani Terpinin është një nga ditët më të vështira, por e mbledh veten për të thënë dy fjalë. I ati nuk jeton më, ndërsa është ende po aq i pranishëm te këshillat dhe kujtimet që ka lënë në çdo kënd të shtëpisë. Fotografi Zhani Terpini tregon për të atin dhe xhirimet e rënies së monumentit të Enver Hoxhës, që nuk janë shfaqur kurrë.
Është e rëndë të humbasësh prindërit…
Më duket sikur do vijë prapë.. Por këshilltari është aty dhe gjithçka në shtëpi më kujton jetën me babin.
Ju jeni fotograf, duket se syrin e artistit e trashëguat prej tij..
Kam jetuar me të, e kam të trashëguar. Brenda trupit tim është shpirti i tij. Shkëndija e talentit të operatorit është brenda meje. Edhe pse unë kam mbaruar për pikturë, më pas iu futa fotografisë, dëshira ime e madhe ka qenë të bëhem operator.
Kolegët e kujtojnë si të papërtuar, madje që rrezikonte shumë, a ka ndikuar në zgjedhjet tuaja, ka qenë kërkues?
Nuk e kisha baba, ishte një edukator, mësues. Ishte tepër i rreptë, tepër kërkues dhe mua më dukej vetja gjithnjë sikur isha në ndonjë akademi. Kërkonte gjithnjë shumë më tepër.
Çfarë do të bëni me veprat që ai ka lënë pas?
Nëse do të më krijohen mundësitë, me ndihmën e shtetit, do kisha dashur të hapja ndonjë galeri, pasi ai ka mbi 40 filma artistikë. Është një arkivë personale shumë e pasur. Ka xhirime, por edhe fotografi, që nga periudha e komunistit, te rrëzimi i monumentit të diktatorit, deri në ditët tona. Në momentin e rënies së monumentit, kur në Tiranë kishte shumë pak kamera për të regjistruar, ai shkoi në Kinostudio dhe mori kamerën e punës dhe ka bërë xhirime, të cilat nuk janë shfaqur asnjëherë. Ky është një “sekret”, që e di vetëm Arkivi i Filmit.
Janë pamje të pashfaqura?
Po, nuk janë shfaqur asnjëherë. Të gjithë kemi parë momentin e rrëzimit, por unë kam qenë prezent kur turma e ka ngritur dhe e ka mbajtur një pjesë rruge. Dhe është xhiruar që kur u tërhoq i shkatërruar, derisa mbërriti në “Qytetin Studenti”. Përse ai vetë nuk i ka shfaqur më vonë? Në periudhën kur ato u xhiruan, ishte i detyruar që t’i dorëzonte në shtet.