Camilla Nameti është një zë i ri që po mban gjallë traditën shqiptare përtej kufijve. Prej katër vitesh ajo jeton në Chicago, ku është bërë pjesë aktive e komunitetit shqiptar, veçanërisht në punën me të vegjlit për ruajtjen e këngëve dhe valleve tona. Me origjinë nga Korça, një qytet që nuk mund të mendohet pa serenatat dhe traditat e tij, Camilla e ka pasur muzikën pjesë të pandarë të jetës, që nga mbledhjet familjare e deri tek aktivitetet kulturore.
Edhe pse aktualisht studion Biokimi, pasioni për muzikën e ka shoqëruar në çdo hap, duke e bërë pjesë të shumë eventeve artistike në Shqipëri dhe jashtë saj. Kulmi i këtij rrugëtimi vjen me një moment të veçantë: interpretimi i muzikës shqiptare në një arenë të NBA, përpara një publiku të gjerë ndërkombëtar, një përvojë që jo vetëm e përfaqëson denjësisht atë, por edhe promovon kulturën shqiptare në skena të mëdha botërore.
Në një intervistë ekskluzive për Alpenews.al ajo shprehet se ka qenë një kënaqësi të pérfaqësosh vlerat shqiptare në një event të tillë.
INTERVISTA ME CAMILLA NAMETI:
Si e përjetuat momentin kur performuat muzikë shqip në një arenë të NBA, përpara një publiku kaq të madh dhe ndërkombëtar?
Është një tjetër lloj emocioni krahasuar me skenat në Shqipëri, besoj se largësia bën të vetën. Por është një kënaqësi shumë e veçantë, pasi u mblodhëm nga shumë treva dhe breza të ndryshëm në përpjekje për të lartësuar vlerat dhe traditat tona në një vend të huaj. Shtetasit e tjerë, të kombësive të ndryshme, janë shumë kureshtarë në lidhje me traditat tona kulturore, pasi ato janë shumë të larmishme dhe të veçanta.
Çfarë do të thotë për ju të përfaqësoni kulturën shqiptare në një event të këtij niveli?
Është një kënaqësi dhe përgjegjësi që secili nga ne flas për të gjithë grupin prej 40 personash u përpoq të sillte më të mirën. Personalisht jam shumë mirënjohëse dhe e vlerësuar që komuniteti shqiptar më besoi pozicionin e vokalistes.
Si lindi bashkëpunimi me Chicago Bulls për këtë performancë të veçantë?
Bisedat midis AACI/komunitetit shqiptar dhe Bulls kanë nisur që në gushtin e kaluar si një mundësi për shpalosjen e këngëve dhe valleve tona, e cila u finalizua më 1 prill. Jemi shumë të kënaqur nga vlerësimet që kemi marrë.
Si reagoi publiku amerikan ndaj muzikës dhe valleve shqiptare?
Performanca u prit shumë mirë dhe komentet nga amerikanët kanë qenë mbresëlënëse, sepse për ta janë gjëra të reja dhe të veçanta që i vërejnë me shumë ëndje. Ishin kureshtarë dhe donin të dinin më tepër. Fatmirësisht kemi edhe shumë evente të tjera së shpejti, njëra prej tyre është edhe Festa e Lakrorit.
Si do ta vlerësoje këtë performancë, a ishte më e bukura dhe e veçanta?
Ishte një performancë shumë e bukur, e organizuar në detaje falë AACI. Që nga veshjet tradicionale të krahinave të ndryshme, e deri tek bashkëkombasit tanë të ulur në shkallë me bluza kuq e zi dhe me plis në kokë, gjithçka ishte në respekt të eventit.
Cili është mesazhi juaj për të gjithë shqiptarët?
Si shqiptare, lus dhe uroj që të gjithë të jemi krenarë për origjinën tonë dhe secili, në mënyrën e vet, të përpiqet të ruajë gjuhën tonë, traditat, këngët dhe vallet. Rrofshin sa malet e bukura të Shqipërisë!



