Fatmira Nikolli – Një kalim në sitë i të gjithë veprës letrare të Ismail Kadaresë, nxjerr në pah kulmet e letërsisë dhe frikës, sikundër nuk lë në hije as luftën mes tiranit e shkrimtarit.
Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” me Alda Bardhylin, drejtore e Qendrës Studimore “Kadare” pranë Institutit Europian PASHKO, sjellim në vëmendje edhe lojën kur shkrimtari e shtynte “tiranin drejt fushës së letërsisë, ku e ndiente veten mjeshtër”.
Është një vëzhgim në 82 vite jetë e letërsi, në dy kohë, të prera me thikë me njëra-tjetrën. Mbi raportin shkrimtar-pushtet, e pyetur kryesisht mbi romanin “Dimri i madh”, Bardhyli thotë se “të tregosh hapur varfërinë nën diktaturë në një libër që shumë shpejt do të përkthehej në Francë, e bën Kadarenë një vrojtues e disident të heshtur të jashtëzakonshëm, i cili e përdori letërsinë për të goditur sistemin”.
Sot Ismail Kadare mbush 82 vjeç. Çfarë është ky përvjetor për letrat shqipe?
Ditët e lindjes së shkrimtarëve të mëdhenj janë ditë të rëndësishme jo vetëm për kujtesën historike të kombeve që i kanë ata, por edhe në kujtesën e lexuesve. Kadareja është një ndër shkrimtarët më të mirë të shekullit XXI dhe kjo ditëlindje nuk kujtohet sot vetëm nga lexuesit shqiptarë, por nga miliona lexues në të gjithë botën, duke pasur parasysh që harta e gjuhëve ku ai është botuar i ka kaluar 40. Vetëm një ditë më parë atij i është dorëzuar çmimi i madh “Nonino” në Itali, një çmim i rëndësishëm letrar, duke pasur parasysh që kryetari i jurisë është një figurë e rëndësishme e letrave botërore, nobelisti i vitit 2001, V. S. Naipaul.
Mjaft të lexojmë analizën që Claudio Magris, një figurë e njohur e mendimit e letrave italiane, bëri disa ditë më parë në “Corriere Della Sera” për shkrimtarin shqiptar për të kuptuar stadin ku e ka vendosur gjuhën shqipe letërsia e shkruar prej tij, duke e bërë një nga gjuhët më dominante ndaj kulturave të tjera të mëdha.
–A mund të flasim ne sot për një vepër tjetër të Kadaresë pas viteve ‘90?
Do të ishte e pamundur ta ndaje letërsinë e shkruar nga Kadareja në dy kohë, atë para viteve ‘90 dhe pas saj. Pavarësisht kontekstit historik ku ai shkroi pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij (komunizmit), ajo çfarë e bën atë një shkrimtar të madh të kohës është pikërisht letërsia që këto vepra bartin. Një nga kritikat që i është bërë vitet e fundit Kadaresë është se ai shkroi në përshtatje me zhvillimet politike të regjimit komunist.
Mjafton një rilexim i veprave të tij që pas vitit 1959 e deri në rënie të regjimit për të kuptuar se gjatë më shumë se dyzet e pesë viteve nën diktaturë, veprat e tij kanë qenë koherente për sa i përket tematikës dhe fokusit mbi aspektet e jetës shqiptare, duke sfiduar pothuajse në të gjitha këto vepra përmes një disidence “të heshtur” regjimin, për të nxjerrë në pah thellësinë, kompleksitetin dhe vlerën individuale të çdo vepre për publikun ndërkombëtar. Është e jashtëzakonshme aftësia që ai ka pasur për t’iu shmangur dogmës së sociorealizmit dhe për të shkruar vepra që mund të lexohen me ëndje sot. E nëse analizojmë universin e shkrimtarit, mund ta kuptojmë se ishte letërsia, ajo që shpesh dhe në situata kontradiktore mes tij e sistemit e ka shpëtuar.
Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Kronikë në gur dhe Muzgu i perëndive të Stepës përfaqësojnë stade të rëndësishme në përpjekjet e shkrimtarit për të kuptuar vetveten, kulturën e shoqërinë dhe çojnë drejt alegorive historike të fundit të viteve ‘70, si Ura me tri harqe dhe te kryevepra Pallati i ëndrrave. Hija përfaqëson një nga veprat ku autori hulumton shpirtin e tij dhe analizon vetveten. Në esenë Eskili ky humbës i madh, Kadareja përmbledh temat e një jete të tërë shkrimesh në një studim letrar, historik dhe kombëtar. Për të konkretizuar koherencën e veprave të Kadaresë mjaftojmë të kujtojmë veprën Kamarja e turpit, e botuar për herë të parë në vitin 1978, pikërisht në kulmin e diktaturës komuniste dhe që një vit më parë ishte kandidat për çmimin Man Booker International përkrah shkrimtarëve të tjerë si Amos Oz, Mathias Enard, Samanta Schweblin, Wioletta Greg, Roy Jacobsen etj.
Ky libër është shembulli më i mirë sesi letërsia arrin të përshkojë dhe sistemet më të egra diktatoriale, siç ishte diktatura e Enver Hoxhës. Letërsia e shkruar nga Kadareja ka dhënë një kontribut të çmuar në krijimin e gjuhës dhe letërsisë kombëtare, pasi për vetë historinë e letërsisë dhe mendimit shqip ne kemi pasur një “mjedis të vonuar kulturor kombëtar” dhe ky rol historiko-kulturor përbën një nga kyçet e identitetit dhe vetëdijes së Kadaresë, si zëdhënës i Shqipërisë dhe kundërshtar i diktaturës.
– Një nga fokuset e punës së Institutit të Studimeve “Kadare” është studimi rreth raportit të shkrimtarit me regjimin. Përtej debateve që jemi mësuar të dëgjojmë në media rreth këtij raporti, sipas jush a ka qenë Kadareja i rrezikuar nga regjimi apo një “i përkëdhelur” i tij?
Në fokusin e studimit të Institutit të Studimeve “Kadare” nuk është vetëm raporti i shkrimtarit Kadare me regjimin, por raporti i arteve dhe letërsisë me regjimin komunist. Dihet që të gjitha sistemet diktatoriale janë përpjekur të përdorin kulturën për të përçuar dogmat e tyre. Fakti që në Shqipëri, ashtu si në të gjitha blloqet komuniste, u krijua Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, tregonte qartë qëllimin e komunizmit për të mbajtur nën kontroll çdo gjë. Duhet thënë se është sfiduese mënyra sesi është shkruar letërsia gjatë sociorealizmit nën një tablo të tillë gati-gati torturuese për çdo shkrimtar. Por Kadareja do të hynte në letrat shqipe që në fillim si një shkrimtar ndryshe. Tregimet e tij të para shprehin shqetësimin e brezit të ri në konflikt me të vjetrin. Magjepsja e tij nga letërsia ndjehet që në vargjet e para që botoi para se të udhëtonte si student drejt Moskës.
Mjaftojmë të kujtojmë një tregim të botuar pas viteve ‘50, Nudoja, ku flitet mbi polemikën në një familje, rreth pikturimit nga djali të një gruaje lakuriq, gjë që skandalizoi fqinjët dhe vuri në rrezik fejesën e motrës së tij. Librat e tij të parë si Qyteti pa reklama dhe Ditë kafenesh, formulojnë tri tema fillestare të rëndësishme të veprave të Kadaresë. E para është ajo e jetës së vërtetë kundrejt asaj të gënjeshtërt. Kjo mënyrë e të shkruarit letërsi do të ngjallte pakënaqësi që në shfaqjet e tij të para. Sulmet e para ndaj Kadaresë kanë nisur që kur ai u kthye nga Moska, ku u akuzua për dekadencë. Le të mos harrojmë që pjesa më e madhe e shkrimtarëve në atë periudhë ishin ata që kishin dalë nga lufta. Konflikti mes së resë që po shfaqej në horizont dhe të vjetrës do të shfrytëzohej nga vetë diktatori, i cili në vitin 1961 do të organizonte një mbledhje të madhe mes shkrimtarëve të dy brezave për të mbajtur anën e të rinjve.
Në këtë mbledhje mes dy brezave, Kadareja do të mbante një qëndrim të ashpër e të drejtë në favor të letërsisë së re, gjë e cila çuditërisht do të përkrahej edhe nga Enver Hoxha. Vetë shkrimtari e ka treguar këtë, duke thënë: “Askush nga ne nuk mendonte se Hoxha do të merrte anën tonë”. Por “ky favorizim”, i cili dukej sikur do ta ndihmonte shkrimtarin e ri, nga ana tjetër ishte një sulm i Hoxhës ndaj brezit të vjetër ish-partizan, duke treguar kështu një pushtet tjetër të egër për të cilin po përgatitej.
Por kritikat dhe ankthi pas botimit të një vepre do ta shoqërojnë përgjatë gjysmë shekulli shkrimtarin. Kërkesat për më shumë patriotizëm në veprat e Kadaresë do të shtojnë kritikat më vonë dhe pakënaqësitë, duke shtuar kështu dyshimet e sistemit ndaj shkrimtarit.
Mjafton të shohim dy botimet e kohëve të fundit të UET Press “Kadare i denoncuar dhe 101 dokumente nga aparati shtetëror dhe partiak i Shqipërisë komuniste” për Ismail Kadarenë me autor Dashnor Kaloçin për të kuptuar survejimin që i është bërë shkrimtarit. Kadareja jo vetëm nuk ka qenë një i privilegjuar i regjimit, por ka pritur me ankth shpesh dhe arrestimin e tij, nëse shohim me kujdes këto dokumente. Armiqtë e Kadaresë në organet e Sigurimit apo Drejtoria Shtetërore e Sigurimit (policia sekrete nën drejtimin e Mehmet Shehut) dhe garda e vjetër e Byrosë Politike, vazhdimisht e quanin atë si agjent të Perëndimit. Kjo ishte një nga akuzat më të rrezikshme që mund të bëhej në këtë shtet paranojak ndaj rreziqeve të jashtme.
Kadareja e ka ndier që në fillim rrezikun që kishte Enver Hoxha për vendin. Marrëdhëniet midis ideologjisë e pushtetit, mohimi i së kaluarës shqiptare ndërsa krijohen “Shqipëria e re” dhe “njeriu i ri”, mundësia që regjimi të kthehet në një përbindësh janë tema që ndërlidhen gjatë viteve ‘70, në një grup idesh letrare. Këto ide nuk shprehin vetëm opozicionin ndaj regjimit dhe vizionin e tij për Shqipërinë e re, por po ashtu penetrojnë në zemrën e diktaturës, duke e bërë shkrimtarin ndëshkues dhe një zë kundër diktatorit.
-Le të flasim pak për “Dimrin e madh”. Si duhet ta lexojmë këtë roman sot? A është ky roman një himn për Enver Hoxhën?
Dimri i madh është ndoshta e vetmja vepër në historinë e letërsisë botërore, ku një shkrimtar përballet me diktatorin e tij. Vetë kushtet ku shkrimtari e ka shkruar këtë vepër e tregon qartë kërcënimin që ai kishte nga pushteti, ndërsa merr përsipër një rrezik akoma më të madh, të kthejë në një personazh diktatorin e tij. Asnjë shkrimtar i bllokut të Lindjes nuk e ka pasur një guxim të tillë për t’u përballur me ndëshkuesin përmes letërsisë. Në libër trajtohet figura e Enver Hoxhës, mbajtësit të pushtetit prej 1945-ës.
Romani është kritikuar për ngritjen lart të imazhit të diktatorit si njeri me bindje ideologjike, forcë të brendshme dhe me rëndësi ndërkombëtare, ndërkohë që në fakt veprimet e tij ishin në shërbim të vetvetes, djallëzore nga ana ideologjike dhe të përcaktuara nga konflikti midis dy superfuqive komuniste, Kinës dhe BS-së. “Shpeshherë kisha përshtypjen se ashtu si një luftëtar që e tërheq partnerin e duelit në një vend më të favorshëm, unë e kisha shtyrë tiranin drejt fushës së letërsisë, ku e ndieja veten mjeshtër […]. Atje, mendoja, i ekspozuar dhe larg nga rojat, oborrtarët, doktrina dhe diktatura mund të mbizotëroj mbi atë. Ky do të ishte rasti për t’i vënë maskën dhe vetë ajo do ta përkulte e kufizonte atë”, e shpjegon Kadareja (Pesha, 352). Por, në një rilexim që mund t’i bëjmë këtij libri sot, përtej figurës së Hoxhës shohim realitetin e trishtë të Shqipërisë komuniste përmes zhvillimit të jetës së personazheve të tjera në këtë libër, duke kuptuar se Kadareja kishte arritur të bënte bashkë Hoxhën në një terren me viktimat e tij, pikërisht aty ku ai mendonte se po shkëlqente si personazh, nga ana tjetër shkëlqente dhe si diktator.
Pak më lart folët për dosjet e spiunimit ndaj shkrimtarit. A mund të na ilustroni një?
Janë 101 dokumente të botuara ku shihet qartë përndjekja e vazhdueshme që i është bërë shkrimtarit. Por le të ndalemi te një dokument sekret nr. 1211 për të treguar se deri ku ishte shtrirë kërkesa e informacionit për Kadarenë, siç është relacioni më poshtë për një pensionist.
Sekret Lënda: Informacion mbi disa shprehje dhe qëndrime të gabuara të komunistit Osmën Shefqet Shehu.
KOMITETIT QENDROR TË PP SHQIPËRISË TIRANË Osmën Shefqet Shehu, anëtar i partisë i vitit 1944, ish-punonjës i Degës së Punëve të Brendshme, tani pensionist. Në kohën kur në organizatën bazë të partisë së lagjes “29 Nëntori” po punohej raporti i Plenumit të 4-të të KQ të PPSH iu shpreh komunistëve Mustafa Gjini dhe Rustem Dauti, se shoku Mehmet Shehu e ka cilësuar armik Ismail Kadarenë, ndërsa shoku Enver Hoxha e mbron. “Për mua – ka thënë Osmëni – Ismail Kadareja është armik e revizionist, sepse në romanin ‘Dimri i vetmisë së madhe’ i paraqet gratë e kuadrove tona të degjeneruara dhe pensionistët njerëz që marrin vetëm pension”. Për të parë qëndrimin e këtij komunisti, u mblodh byroja e organizatës bazë të partisë, por edhe aty Osmën Shehu përsëriti të njëjtat shprehje: “Ismail Kadareja është armik dhe këtë e them ku të doni”. Në byro ai shtoi se, duke udhëtuar në tren ka dëgjuar biseda se “në Shqipëri, nga enciklopedia franceze e vitit 1972 njihen vetëm tri figura: Skënderbeu, Enver Hoxha dhe Ismail Kadareja”.
-Ka një debat të vazhdueshëm për mënyrën sesi duhet ta lexojmë letërsinë e soc-realizmit, ku futen edhe pjesa më e madhe e veprave të shkrimtarit?
Është interesante mënyra sesi Kadare e ka shmangur soc-realizmin në veprat e tij. Vetë termi “realizëm socialist” është formuluar në vitin 1932 në një mbledhje të Bashkimit të Shkrimtarëve Sovjetikë. E kthyer më vonë në një doktrinë, ajo përqafohej nga shkrimtarët që i shërbyen dogmës komuniste në vendet ku sistemi u instalua. Duhet thënë që Kadare e ka sfiduar hapur këtë dogmë që me botimin e romanit “Qyteti pa reklama” më vitin 1959, ku personazhi kryesor Gjon Kurti nuk ka asnjë të përbashkët me heronjtë e socializmit, biles ka të meta. Soc-realizmin Kadare e sfidon dhe tek “Dimri i vetmisë së madhe”, edhe pse do të ishte një vepër që do të shihej me lupë nga regjimi. Mënyra e tij e të shkruarit e tregon qartë se realizmi socialist nuk ishte stili i Kadaresë, e këtë e tregon dhe ribotimi që u bëhen veprave të tij në çdo vend të botës edhe pse janë shkruar në një sistem komunist.