Do të jetë Antonio Conte trajneri i ardhshëm i Interit. Lajmin e ka konfirmuar sot e përditshmja italiane “Tuttosport”, sipas së cilës Beppe Marotta ka marrë “OK” e ish-trajnerit të kombëtares “azzurre”, prej një vit pa ekip, që kur u largua nga Chelsea. Conte do të zërë vendin e trajnerit Luciano Spalletti, që pas eliminimit të Interit nga Europa League nuk do të rikonfirmohet sezonin tjetër.
“Aventura e Spallettit tek Interi do të mbyllet në maj. Zikaltërit e kanë thuajse të sigurt një vend në Champions League, ku shkojnë 4 skuadrat e para të Serisë A. Por në këtë aventurë Interin do ta drejtojë Conte, që ka marrë garancitë e duhura nga Marotta”, shkruajnë mediat italiane. Inter ka siguruar që tani blerjen e mbrojtësit Diego Godin dhe në rast kualifikimi në Champions do të ketë edhe blerje të tjera.
Trajneri i ri Antonio Conte dëshiron të ketë kontroll të plotë dhe ka kërkuar largimin e Mauro Icardi dhe Ivan Perisic, që me shumë gjasa do të shiten në merkaton e verës. Largimi i këtyre dy futbollistëve “rrëmujaxhi” do të rikthejë qetësinë në skuadër, ku javët e fundit ka patur shumë polemika. Interi i ri do të luajë me skemën 3-5-2, skema e famshme e Antonio Conte, që do të synojë të ndërtojë një ekip pretendent për titull.

