Bullgaria ka kërkuar zyrtarisht ditën e sotme që Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut sa i përket procesit të integrimit në Bashkimin Europian.
Bëhet me dije se Bullgaria iu ka kërkuar shteteve anëtare të BE-së që Shqipëria të gjykohet për meritat e saj dhe të vijojë rrugën drejt integrimit duke u shkëputur kështu nga patnerja për të njëjtën rrugë Maqedonia e Veriut.
“Maqedonia e Veriut nuk plotëson ende kriteret për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare”, thuhet në një reagim të qeverisë bullgare.
Nga ana tjetër mësohet se këtë propozim e ka bërë edhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Vendimi për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut ka ngecur në Këshillin e BE-së, pasi Bullgaria ka vendosur veto për shkak të mospajtimeve që ka me Shkupin zyrtar.
Kujtojmë se vetoja bullgare po mban peng zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare, pasi rrugëtimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është konceptuar në bllok.