Viti 2017 është shumë pranë konfirmimit si viti më i mirë përsa i përket shkëmbimeve tregtare midis Shqipërisë dhe Kosovës. Nga janari, deri në tetor të këtij viti, Shqipëria ka eksportuar në Kosovë në total mallra me vlerë prej 17,5 miliardë lekësh. Ndërkohë, vendi ynë ka importuar nga Kosova mallra me vlerë 6,9 miliardë lekë.
Në total, volumi tregtar midis dy vendeve tona, për këtë periudhë arrin deri tani në 24,6 miliardë lekë, pothuajse 200 milionë euro. Ndërkohë, në vitet 2012, 2013, 2014 dhe 2016, volumi tregtar për të gjithë vitin ka variuar nga 22,3-24,7 miliardë lekë. Viti i plotë 2015 është deri tani viti me shkëmbimet më të larta tregtar midis Shqipërisë dhe Kosovës, me 26,4 miliardë lekë.
Megjithatë, duke parë trendin aktual si dhe duke paraprirë bumin e përvitshëm të shkëmbimeve tregtare që ndodh në muajin dhjetor, ky vit do të vendosë një rekord të ri në marrëdhëniet tregtare midis dy vendeve, duke prekur përafërsisht nivelin e 30 miliardë lekëve.
Në të dhënat e raportuara nga INSTAT përfshihen vetëm shkëmbimet e mallrave, por jo shërbimet dhe të ardhurat e garantuara nga turizmi i shtetasve kosovarë në vendin tonë, shifër e cila gjithashtu shënoi rritje gjatë 2017-s.
Vendosja e pritshme në punë e linjës së tensionit të lartë midis Shqipërisë dhe Kosovës, pritet t’i japë një bum të mëtejshëm nivelit të shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve tona.
Për herë të parë, gjatë këtij viti, Kosova është shndërruar në partnerin e dytë më të madh tregtar përsa i përket eksporteve shqiptare, ndërsa renditet në vendin e nëntë, përsa i përket importeve.
Referuar “INSTAT” del blof edhe “Top-Channel”, i cili dy ditë më parë njoftoi se shkëmbimet tregtare kishin rënë në nivelin më të ulët që prej vitit 2012./ Lexo.al