Ka vijuar sot seanca gjyqësore për dosjen e bujshme “Plumbi i Artë”, ku një nga të pandehurit, Fatos Gosa, ka kundërshtuar ashpër akuzat e bëra ndaj tij nga i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani.
Gjatë seancës, Dumani ka pohuar se kishte dyshime se Gosa e kishte denoncuar tek policia, ndërsa ky i fundit e ka mohuar kategorikisht çdo lidhje me grupin kriminal, duke e cilësuar dëshminë e Dumanit si një hakmarrje të sajuar.
Gjatë dëshmisë së tij, Dumani tregoi se kishte dyshuar për Gosën, pasi pas një aksioni të forcave speciale RENEA, i ishte drejtuar Talo Çelës për sqarime, ndërsa ky i fundit kishte përmendur emrin e Gosës si një burim i mundshëm i informacionit.
“Jo se do e vriste, por tha se duhet hequr, pasi di shumë.”
“Nuk kam pasur asnjë lidhje me Talo Çelën. Dua të dalë e vërteta. Këta kishin një polic krimesh që e paguanin. Pasi më arrestuan, inskenuan edhe një grabitje të djalit tim në mes të Peqinit. Kam tre vjet në burg dhe nuk kam takuar asnjëherë gruan dhe vajzën time.”
Gjykata e pyeti Gosën pse mendonte se Dumani ka bërë një deklarim të rremë ndaj tij, ndërsa ai u përgjigj se kjo është një hakmarrje e pastër dhe një inskenim nga grupi kriminal për ta përfshirë padrejtësisht në çështje.
Diskutimi në gjykatë:
Avokati: Ke thënë që Talo doshte të vriste Fatosin.
Dumani: Jo se do e vriste, por tha se duhet hequr, pasi di shumë. Unë u ankova tek Talo për policinë. Ai më tha se do e ketë sjellë Fatos Gosa.
Avokati: Me Erion Alibeajn ke folur për vrasjen e kushëririt të tij?
Dumani: Po, kam folur. I kam thënë, më vjen keq, se unë ju dhashë mjetet për një atentat ne Peqin, por nuk e dija se ishte kushëri i Alibeajt.
Ndërhyn i pandehuri Fatos Gosa: Nuk kam pasur asnjë kontakt me Talo Celën. Nuk e kam pasur mik. Dua të dalë e vërteta. Do dali e vërteta. Unë kam pasur miqësi me familjen e Andi Zylyfit. Si mund ta bëj unë atë për 15 mijë euro.
Gjykata: Pse mendoni se Dumani ka bërë deklarim të rremë ndaj jush?
Gosa: Këta kishin në Leonard Palushi, një polic krimesh që e paguanin. Sollën në Peqin kontroll Renean në disa familje.Deklarimin e rremë Dumani e ka bërë për hakmarrje.Pasi jam arrestuar kanë inskenuar grabitjen e djalit tim në mes të Peqinit. Vjen policia, ndërsa çuni ishte në shtëpi.Nuk kam qenë tek ajo vrasje. Nëse kam qenë lentë dënohem.Politika më ka lidh me këta maskarenj. 8 vjet ndenji një pale e 8 vjet pala tjetër.Unë t’ju merrja pasaportat njerëzve që më vinin në lokal.
Gjykata: Jeni takuar ndonjëherë?
Gosa: Asnjëherë.Doja të isha i qetë, por më falni për emocionin. Unë kam tre vjet në burg dhe nuk kam takuar asnjëherë gruan dhe vajzën time.


