Dy persona jane vene ne pranga ne Lezhe, ne kuader te operacionit policor te koduar “Zheja”. Policia e Lezhes ben me dije se ka goditur një tjetër rast i trafikimit të lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje, nderkohe qe gjate kontrollit, dy autoreve u jane gjetur edhe armë zjarri, lëndë narkotike, municion luftarak dhe fitil zjarrpërcjellës.
Personat e arrestuar jane J. (K). Rr., 49 vjeç dhe E. Rr., 20 vjeç, banues në fshatin Zhejë, Kurbin.
NJOFTIMI
Në zbatim të një ndër prioriteteve, atë të parandalimit, evidentimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se dy shtetas dispononin një sasi lëndë narkotike gati për ta shitur, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin Kurbin, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të “Zheja”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
J. (K). Rr., 49 vjeç dhe E. Rr., 20 vjeç, banues në fshatin Zhejë, Kurbin.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit J. (K.) Rr, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
Një armë zjarri tip automatik, një sasi municioni luftarak, 22 m fitil detonator zjarrpërcjellës dhe 15.5 kg lëndë narkotike, e dyshuar cannabis sativa.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin po kërkonin treg për të shitur lëndën narkotike.
Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive”, në ngarkim të J. Rr. dhe për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve ”, kryer në bashkëpunim, për shtetasin E. Rr.


