Pas 19 të infektuarve të burgu 313-të, një tjetër vatër është shënuar te paraburgimi i 302 po në Tiranë. Te 302 janë 11 të dënuar të infektuar me koronavirus. Kati i dytë i burgut 302 në Tiranë është izoluar totalisht pasi një pjesë e personave të arrestuar që mbahen të mbyllur në këtë institucion paraburgimi, janë infektuar.
Mes të arrestuarve të prekur mësohet të jenë dhe disa prej anëtarëve të dosjes 339, ku burimet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thanë jo zyrtarisht se Altin Avdyli dhe Hekuran Hoxha, kanë rezultuar pozitiv gjatë testeve të kryera nga mjekët.
Altin Avdyli dhe Hekuran Hoxha mbahen të izoluar në dy burgje të ndryshme, 313 dhe 302, por takimi i tyre në sallën e gjyqit në 23 prill 2020, duke se ka sjellë infektimin e Hekuran Hoxhës. Takimi është zhvilluar gjatë një séance gjyqësore pranë Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Burimet sqaruan se Altin Avdyli, ka qenë i infektuar dhe ka shumë gjasa që të ketë infektuar dhe Hekuran Hoxhën. Mandej pas përfundimit të seancës gjyqësore është kthyer në qeli, ku dhe ka infektuar shokët e qelisë së tij dhe disa persona të tjerë që mbahen të izoluar brenda në katin e dytë të burgut 302 në Tiranë.
Pas këtij konstatimi i gjithë kati i dytë i burgut 302 në Tiranë, po mbahen në izolim dhe monitorim me qëllim mospërhapjen e virusit pandemik COVID-19. Ndërkohë gjatë kësaj kohe janë dezinfektuar të gjitha ambientet, pasi siç thonë burimet në total janë 11 raste të zbuluara me COVID-19 në ambientet e paraburgimit 302 në Tiranë.
E ndërsa rastet te 302 i kanë mbajtur të fshehta, referuar 313-tës, ministria e Shëndetësisë njoftoi se për pacientët që janë të dënuar dhe që do të kenë nevojë është përshtatur një pjesë e hapësirës te spitali i burgut, ndërsa në rast nevoje për ndihmë më të specializuar do të dërgohen në spitalet COVID.


