Shqipëria vijon të vlerësohet për lirinë ekonomike duke fituar 13 pozicione në raportin më të fundit të publikuar nga Fondacioni Heritage për këtë vit.
Në këtë indeks, ku janë të marrë në analizë 180 vende të botës, Shqipëria renditet krah vendeve që kanë një liri ekonomike të moderuar, me një pikëzim në 66.5 pikë.
“Rezultati i lirisë ekonomike në Shqipëri është 66.5, duke e bërë ekonominë të 52-të më të lirë në Indeksin 2019. Rezultati i përgjithshëm është rritur me 2 pikë, ndikuar nga përmirësime të mëdha gjatë vitit të dytë të njëpasnjëshëm si një vend i shëndetshëm fiskal dhe rezultateve më të larta të efektivitetit gjyqësor dhe lirisë së punës”, thuhet në raport duke e renditur Shqipërinë të 27 mes 44 vendeve në rajonin e Europës.
Në raport vlerësohet se “për të promovuar kandidaturën e saj në BE, Shqipëria po kalon në një sistem ekonomik më të hapur dhe më fleksibël duke zbatuar ristrukturim thelbësor”.
Gjithashtu, theksohet se Shqipëria ka shënuar rritjen e të ardhurave dhe uljen e varfërisë.
“Një regjim tregtar konkurrues i mbështetur nga një kuadër rregullator relativisht efikas ka inkurajuar zhvillimin e sektorit sipërmarrës në rritje. Për të mbështetur këtë përparim, qeveria planifikon reforma shtesë për të përmirësuar shtetin e së drejtës, për të inkurajuar rritjen e lirisë ekonomike dhe për të siguruar zhvillim të vazhdueshëm ekonomik”, vlerësohet më tej.
Në raport, Shqipëria vlerësohet edhe për procedurat për bizneset e reja janë bërë më pak të kushtueshme dhe nuk kërkohet më një kapital minimal për ngritjen e një kompanie.
“Kërkesa për punë në ekonominë formale, e cila shënon një nivel të lartë të vetëpunësimit, ndikohet dukshëm nga sektori publik”, theksohet më tej ndërsa përmend edhe subvencionet në bujqësi si sektor prioritar.
Në renditjen e publikuar nga Fondacioni Heritage, në rajon vendi ynë lë pas vende si Bosnje Hercegovina, Serbia apo Mali i Zi, ndërsa në Europë, Francën dhe Italinë.