Paraditen e 15 prillit një lajm i pazakontë nisi të bënte bujë në portalet shqiptare. Edi Rama dhe familja e tij u ndaluan të fluturonin në avionin Frankfurt – Detriot, pas një incidenti me stafin e “Lufthansës” për mosmbajtjen e maskës kundër COVID-19.
Burimi i lajmit ishte “Der Spiegel”, gazeta gjermane e cila shkruante për një “skandal” me kryeministrin e Shqipërisë, që detyroi policinë të ndërhynte dhe të zbriste nga avioni Edi Ramën dhe familjen e tij.
Në tentativë për të zbehur rëndësinë e lajmit, qëndrimi zyrtar i kryeministrisë ishte se kemi të bëjmë me një “lajm të vjetër”.
Stafi i ngushtë i kreut të qeverisë nisi të shpërndante në media letrën ku kompania e fluturimit i kërkonte Ramës ndjesw për incidentin.
Kjo letër u shpërnda si faksimile e shoqëruar me përkthimin në gjuhën shqipe. Por, vetëm pak minuta më pas, përkthimi u shpërnda për herë të dytë, shoqëruar me ftesën drejtuar mediave që të publikonin versionin e fundit, jo të parin.
Ç’kishte ndodhur? A kishte probleme përkthimi i parë i letrës së “Lufthansës” për Edi Ramën? Aspak, por për mjeshtrat e propagandës detajet bëjnë diferencën.
Në versionin e dytë të shqipëruar të kësaj letre, u zëvendësuan disa terma me sinonime të tjera. Gjithçka për ta zbehur incidentin dhe për ta shitur atë si diçka banale dhe të parëndësishme.
GSH.al ju sjell dy variantet e përkthimit në gjuhën shqipe, shoqëruar me letrën në anglisht.
VARIANTI I PARE I SHPERNDARE NGA KRYEMINISTRIA
Në emër të Lufthansa German Airlines, ju kërkojmë ndjesë që ju dhe familjes suaj ju është dashur të zbrisni nga fluturimi nr. LH442 i Lufthansës, nga Frankfurti në Detroit më 3 dhjetor 2021 dhe na vjen shumë keq për çdo parehati që kjo situatë ju ka shkaktuar. Ne ju kërkojmë ndjesë të veçantë ju dhe familjes suaj, nëse sjellja e disa pjesëtarëve të stafit tonë është perceptuar si e papërshtatshme dhe nuk e kanë trajtuar situatën me ndjeshmërinë dhe diskrecionin e nevojshëm.”
VARIANTI I DYTE I SHPERNDARE NGA KRYEMINISTRIA
Në emër të Lufthansa German Airlines, kërkojmë ndjesë që ju dhe familja juaj jeni larguar nga fluturimi LH442 i Lufthansa nga Frankfurt në Detroit më 3 dhjetor 2021 dhe na vjen thellësisht keq për çdo shqetësim që ju ka shkaktuar. Ne ju kërkojmë ndjesë veçanërisht juve dhe familjes suaj, nëse sjellja e disa anëtarëve të ekuipazhit u perceptua si e papërshtatshme dhe nuk u trajtua me ndjeshmërinë dhe maturinë e nevojshme.”
Në vija të përgjithshme, të dy variantet e përkthimit janë korrekte. Por në disa fjalë të caktuara, vihet re “korrigjimi” që kryeministria i ka bërë vetes, duke tentuar ta zbusë ose zbukurojë letrën e ndjesës së “Lufthansas”.
P.sh. në variantin e parë thuhet “të zbrisni” nga fluturimi. Në variantin e dytë përdoret folja “larguar” nga fluturimi. Në variantin e parë thuhet se kompanisë i vjen “shumë keq”, ndërsa në të dytën “thellësisht keq”. Në variantin fillestar kompania kërkon ndjesë nëse stafi “nuk e kanë trajtuar” situatën mirë, ndërsa në variantin final përdoret folja më e prerë, që e bën fakt të kryer “nuk u trajtua” mirë.
Çudia më e madhe zgjat 3 ditë dhe me gjasë, të hënën askush nuk do ta kujtojë me incidentin e Edi Ramës me “Lufthansën”.
Por, i analizuam më lart dy njoftimet për shtyp të dala nga kryeministria, për të kuptuar rëndësinë që Rama i jep kontrollit të informacionit, që shkon deri aty sa korrigjon veten në përdorimin e sinonimeve të foljeve.


