Ambasada e Izraelit në Shqipëri ka reaguar pas incidentit të rëndë të regjistruar në fluturimin Dubai–Tel Aviv, ku avioni u devijua drejt Arabisë Saudite pas një përplasjeje në kabinën e pilotëve.
Në një deklaratë për shtyp, ambasada e cilëson ngjarjen si një përpjekje për rrëmbimin e avionit dhe e lidh atë me një seri të akteve terroriste ndaj Izraelit.
Ndërsa motivet dhe rrethanat e incidentit janë ende objekt hetimi dhe kompania Flydubai ka bërë thirrje për shmangien e spekulimeve të parakohshme, ambasada thekson se zgjedhja e një fluturimi të një kompanie nga Emiratet, me shumicën e pasagjerëve izraelitë, nuk ishte e rastësishme.
“Deklaratë për shtyp. Lidhur me incidentin e sotëm që përfshiu fluturimin Dubai – Izrael në përpjekjen për rrëmbimin e avionit me 172 persona në bord, 169 prej të cilëve izraelitë – ky është një rast që i shtohet një sërë akteve terroriste xhihadiste kundër Izraelit.
Izraeli vazhdon të jetë në shënjestër të sulmeve. Është vendi më i sulmuar në botë. Këtë herë, në një mënyrë që të kujton ngjarjet e 11 shtatorit.
Nuk është rastësi që u zgjodh një kompani ajrore nga Emiratet dhe pasagjerë izraelitë. Kjo ishte një përpjekje për të goditur partnerët kryesorë të paqes dhe të Marrëveshjeve të Abrahamit”, shkruan Ambasada.


