Prokuroria e Posaçme u ka komunikuar zyrtarisht akuzat Arben Ahmetajt, Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit, lidhur me inceneratorin e Elbasanit.
Fletëthirrje për t’u paraqitur që të njihet me akuzën ka marrë edhe ish bashkeshortja e Ahmetajt Albina Macka, ndërsa është ende e paqartë akuza që do të rëndojë mbi të.
Prokuroria e Posaçme është drejt përfundimit të hetimit për ish zevenkryeministrin Arben Ahmetajn në lidhje me hetimin e nisur si fraksion i dosjes së Inceneratorëve. Hetimi nisi pas kallëzimeve që u bënë ndaj tij, se ka përfituar qindra mijëra euro, dhurata e udhëtime të paguara nga administratorët e inceneratorëve.
Ahmetaj dyshohet se ka ndërmarrë një mori aktesh, në funksionet e tij si ministër, për t’i mundësuar këtyre sipërmarrësve lidhjen e kontratave koncensionare.
Prej 24 korrikut 2023 Arben Ahmetaj vijon të jetë në kërkim ndërkombëtar. SPAK, në dosjen dorëzuar parlamentit në korrik të vitit të kaluar – kur i kërkoi parlamentit autorizim për arrestimin e tij – vinte në dukje transaksione financiare me shitje-blerje pasurish të patundshme, të shtrira ndër vite, që pas të cilave qëndronin dy sipërmarrësit e inceneratorëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.