Policia e Vlorës ka vënë në pranga një të ri nga Tirana pasi akuzohet, për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”.
Sipas burimeve zyrtare, 24 vjeçari i kishte marrë përmes kanosjes një sasi lekësh një gruaje.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Vlorë dhe Forcën Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit E. R., 24 vjeç, banues në Tiranë.
Ndalimi i tij u bë pasi shtetasja E. Gj. ka bërë kallëzim se në periudha të ndryshme kohore, nëpërmjet shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie, shtetasi E. R. i ka marrë një sasi lekësh.”, njofton policia, ndërsa thekson se vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme