Ish-oficeri i policisë së Lezhës, Klisman Nikolli është arrestuar ditën e sotme nga AMP, pasi ishte shpallur në kërkim për shpërdorim detyre.
Nikolli akuzohet se lejoi kultivimin e kanabisit në vitin 2022 në Ungrej të Lezhës. Më herët, në nëntor të vitit 2022, Klisman Nikolli u arrestua në Itali për vjedhje. Menjëherë pas arrestimit, Nikolli u përjashtua nga radhët e policisë së Shtetit.
Sa i përket kultivimit të kanabisit, ishin dy vite hetime prej AMP, që zbuloi së bashku me Klisman Nikollit edhe një oficer tjetër si Serxhio Xhamalloti që kishte lejuar kultivimin e kanabisit.
Bazuar në këto hetime, Gjykata e Lezhës caktoi masën e arrestit në burg për të dy, bëhet fjalë për 29 korrikun e vitit të shkuar.
“Pas hetimeve të thelluara nën drejtimin e Prokurorisë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar masën e sigurimit personal ‘Arrest në burg’, caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë ndaj ish-oficerit të policisë K.N., 29 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Shpërdorimi i detyrës’.
Dy vite më parë ish-oficeri K.N. u shpall në kërkim nga AMP, pasi dyshohej se gjatë ushtrimit të detyrës në Komisariatin e Lezhës, ka lejuar kultivimin e kanabisit në zonën e Njësisë Administrative Ungrej.”, thuhet në njoftimin e AMP.


