Një grua 41-vjeçare nga Burreli është transportuar me urgjencë në Tiranë me një helikopter të Ministrisë së Shëndetësisë pas komplikacioneve shëndetësore. Ajo ishte paraqitur mëngjesin e sotëm në maternitetin e Burrelit, por mjekët vendosën dërgimin e saj drejt Tiranës për ndërhyrje më të specializuar. Siç duket edhe në këto pamje, kur kushtet e motit kanë qenë ekstreme për shkak të reshjeve të dendura të dëborës që kanë prekur edhe Matit, ministria e Shëndetësisë ka dërguar me urgjencë një helikopter për të transportuar shtatzënën.
Gruaja transportohet me helikopter drejt Tiranës
Rozina, gruaja shtatzënë nga Burreli dhe foshnja e porsalindur
Në një postim në rrjetet sociale, ministrja Ogerta Manstirliu shkruan se gruaja ka lindur në maternitetin “Koço Gliozheni” në kryeqytet fëmijën e saj të tetë. Sipas ministres, gruaja dhe foshnja e porsalindur janë në gjendje të mirë shëndetësore.
“Kjo është historia e Rozinës, nënës 41-vjeçare që pak minuta më parë ka sjellë në jetë fëmijën e saj të tetë falë ndërhyrjes në kohë të ekipeve mjekësore dhe urgjencës kombëtare. E paraqitur me komplikacione në maternitetin e Burrelit mjekët e spitalit “Koço Gliozheni” që aktualisht po japin shërbim në Burrel, kanë vlerësuar si emergjente ndërhyrjen për nënën 41-vjeçare që rrezikonte jetën e saj dhe të bebit. Menjëherë është transportuar me helikopter në maternitetin “Koço Gliozheni” ku ka lindur fëmijën e saj të tetë. Nëna dhe i porsalindur gëzojnë shëndet të plotë”, shkruan Manastirliu.





