Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se mbrëmjen e sotme do të mbërrijn në Shqipëri 11710 doza të vaksinës Pfizer, ndërsa pjesa tjetër prej 41 mijë do të mbërrijë deri në fund të shkurtit.
Ai u shpreh se kompania Pfizer nuk lejon dhurimin e vaksinave, ndaj edhe Shqipëria nuk mund t’i japë Kosovës, por mjekët kosovarë mund të vijnë të vaksinohen në Shqipëri.
“Sot ju kam ftuar për atë që kishit merak me të drejtë, sepse për pak fillon edhe lëvrimi i dozave bazuar mbi kontratën me kompaninë Pfizer. Ne e kemi filluar vaksinimin me doza që kanë ardhur dhuratë nga një vend mik i BE, emrin e të cilit ende nuk mund t’jua komunikoj, ndërkohë që kemi kontratën me kompaninë Pfizer, ne edhe Serbia, ndërsa vendet e tjera janë ende në një situatë pritshmërie, në kushte kur çështja e vaksinës po komplikohet gjithnjë e më shumë dhe Europa për këtë çështje ka hyrë në një kaos.
I them këto për të mos harruar që sidoqoftë ne jemi në kushtet kur procesi i vaksinimit është garantuar dhe do ta vazhdojmë falë faktit që nuk e lamë veten në dorë të të tjerëve, nuk pritëm COVAX-in, i cili është ende në një process që nuk duket se ku e ka fillimin, pasi edhe ata nuk janë të qartë. Kjo është situatë dinamike që mund të ndryshojë nga dita në ditë, por ajo që ndodh me vaksinën jashtë kamerave është sagë më vete, është një luftë tregtare e politike e jashtëzakonshme.
Më vjen shumë mirë që ne ia kemi dalë të mos mbetemi në rrethin vicioz ku janë shumë të tjerë. Nuk e kam harruar që kemi marrë një zotim për të ndihmuar Kosovën, por dua të sqaroj që rregullat strikte dhe kufizimet e forta që kompania ka vendosur, e bëjnë të pamundur që ne të dhurojmë doza vaksinash, por nuk e bëjnë të pamundur që ne mund të ofrojmë vaksinim për një numër mjekësh e infermierësh nga spitali COVID i Prishtinës. I kam kërkuar ministrres s ëShëndetësisë të komunikojë me homologun Kosovar dhe kur ata të vendosin do të jemi të gatshëm të fillojmë menjëherë me 50 vaksinime, me nga 2 doza. Sot Pfizer jep 1170 dozat e para. Brenda shkurtit do të vijnë edhe 41 mijë dozat që ishin të parashikuara për periudhën e janarit”, tha Rama.


