Një histori e veçantë dhe njëkohësisht shumë prekëse ka qenë mbrëmjen e kësaj të shtune pjesë e emisionit të Arbana Osmanit, në Top Chanel “Dua të të bëj të lumtur”. Bëhet fjalë për historinë e Esmeraldit, një djali të braktisur vetëm pesë ditësh në “Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër” nga nëna e tij, i cili pas 41 vitesh arrin të gjejë dhe të përballet për herë të parë fillimisht me imazhin e saj.
Djali, tashmë i martuar dhe baba i dy fëmijëve vendosi pas 41 vitesh të ndërmerte këtë hap dhe t’i rikthehej historisë, ndërsa nëna e pyetur nga moderatorja nuk e përmendi fare djalin në historinë e jetës së saj, madje refuzoi ta dëgjonte kur pa se në studio ndodhej një person “i panjohur”. Me insistimin e moderatores dhe duartrokitjet e publikut nënë e ndrojtur nga mentaliteti vendosi ta dëgjojë.
Më pas ajo shpjegoi kushtet e vështira dhe pse ishte detyruar ta braktiste djalin pas lindjes së tij. Nëna ka treguar se si në një periudhë të vështirë në vendin tonë u dashurua, mbeti shtatzënë dhe solli në jetë Esmeraldin me djalin të cilin e dashuronte dhe i ndanë për shkak të mentalitetit dhe fesë. “Mbeta shtatzënë me djalin që dashurova dhe na ndanë sepse ai ishte mysliman”-ka treguar nëna e përlotur. Me një vështrim nga i biri nëna është shprehur “i ngjan babait të vet”.