Iu bë atentat me gjashtë plumba në qendër të Patosit, dyshohet hakmarrja. Policia ka hakmarrjen si pistë kryesore për plagosjen e Edmond Fejzullahut.
52-vjeçari u plagos të premten në mbrëmje në qytetin e Patosit, ku, sipas grupit hetimor, ai po mbahej në vëzhgim nga personat që synonin eliminimin e tij. Policia sqaroi se ai është qëlluar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar.
Fejzullahu ka marrë dy plagë në kraharor dhe mësohet se ka shkuar vetë në Spitalin e Fierit për të marrë ndihmën e parë mjekësore, pasi ishte në gjendje që të drejtonte makinën. 52-vjeçari nga qyteti i Patosit, në momentin e ngjarjes ishte në një makinë tip “Benz” me targa AA 733 EO, mbi të cilën u qëllua me 6 plumba.
I plagosuri pasi është përballur i vetëm me autorin e atentatit të papritur, me gjithë dy plagët që ka marrë në kraharor ka gjetur forcat për t’i dhënë makinës, duke shkuar pas disa minutash në spital. Mjekët thanë se ai kishte humbur shumë gjak dhe goditjet kanë qenë të rënda, prandaj gjendja e tij mbetet kritike për jetën.
Një ditë më vonë nga hetimi janë mësuar të tjera detaje në lidhje me atentatin e një nate më parë, ku mbeti i plagosur 52- vjeçari. I plagosuri, i cili ndodhet ende në Spitalin e Fierit në gjendje të rëndë, dyshohet se ka qenë viktimë e hakmarrjes. Disa burime tregojnë se hetuesit po hedhin dyshime se atentati ndaj tij është bërë për motive hakmarrjeje, ndërsa drejt mjetit me të cilin udhëtonte u qëllua me gjashtë plumba pistolete, dy prej të cilëve e prekën në kraharor.
Mësohet se i plagosuri Edmond Fejzullahu, pas vrasjes së të vëllait që sapo ishte kthyer nga Italia, mbylli supermarketin që kishte në hyrje të Patosit, duke u larguar nga ky qytet bashkë me familjen e tij. Po ashtu edhe vilën që kishte në lagjen “Dukas” e nxori në shitje, duke iu druajtur ndonjë hakmarrje të mundshme.
Ai jetonte përkohësisht në Fier dhe ndonjëherë kthehej në shtëpinë e tij që kishte nxjerrë në shitje. Dyshohet se Fejzullahu është mbajtur prej kohësh nën vëzhgim, para se t’i bëhej atentat. Paraprakisht, dyshohet se të plagosurit i është zënë pritë. Pasi e kanë ndjekur për disa minuta, autorët kanë qëlluar disa herë me armë në drejtim të xhamit të parë, vendit të drejtuesit të shoferit, ku ndodhej Edmond Fejzullahu.
Pasi e qëlluan 6 herë, duke u siguruar se Fejzullahu ka vdekur, autorët u larguan me shpejtësi, por 52- vjeçari arriti që të shpëtonte dhe të shkonte vetë me makinën e tij drejt Spitalit të Fierit. “Aktualisht, ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve në gjendje kritike për jetën. I është nënshtruar një operacioni”, mësohet nga mjekët e Spitalit të Fierit. Po ashtu Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë rreth zonës ku ndodhi atentati. Ndërkohë që pritet të merret edhe dëshmia e të plagosurit mbi konflikte të tjera, përveç pistës së hakmarrjes për vëllanë, që mund të ketë pasur për të hedhur dritë mbi ngjarjen.