Edhe pse vitet kalojnë, ish-kryeministri Silvio Berluconi mbetet po i njëjti ambicioz. Asgjë nuk e ka mposhtur deri tani, as problemet shëndetësore, as mosha e as skandalet seksuale, dhe 85-vjeçari duket i vendosur në qëllimet e tij.
Mesa duket po kërkon me ngulm që të mbajë premtimin që i ka bërë dikur të ëmës së tij: që një ditë të bëhet President.
Nisja e vitit 2022 përkon me zgjedhjen e kryetarit të ri të shtetit në Itali dhe Silvio Berlusconi po pret të futet në garë.
Emri i Berlusconi-t është përmendur vazhdimisht në media dhe ai vetë nuk ka bërë asnjë përpjekje për të shuar spekulimet se dëshiron të jetë në krye të shtetit.
“Përgjatë dy javëve të fundit e kam takuar dy herë dhe ishte shumë i entuziazmuar”, shprehet për The Guardian një zyrtar nga partia e Berlusconi-t, Forza Italia, i cili kërkoi që t’i ruhej anonimati.
85-vjeçari, i cili vitin e shkuar ishte i sëmurë rëndë si pasojë e Covid-19, duket se po vijon me fushatën e tij jo zyrtare, duke u vetëprezantuar si një burrë shteti me eksperiencë në politikën europiane.
Për të siguruar fitoren, kandidatët për president në Itali duhet të sigurojnë dy të tretat e votave, por nëse askush nuk e arrin këtë në tre raundet e para, atëherë kuota e nevojshme ulet në 50 % të votave, plus 1.
Analistët besojnë se ky është një objektiv i vështirë për t’u arritur nga ish-kryeministri.


