5 postime në rrjetin social “Facebook”, i kanë kushtuar burgun Eduard Guzës nga fshati Koxhas i Shijakut. Gjykata e Durrësit vendosi arrest me burg për Guzën, i cili akuzohet përhapje të thirrjeve terroriste që nxisin urrejtjen. Sipas vendimit të gjykatës së Durrësit, postimin e parë Eduard Guza në “Facebook” e ka bërë në datën 7 janar 2018 ku shkruante “…mos ma merr shpirtin, pa i ther ja 100 çifutë…”.
5 ditë pas këtij postimi sërish Guza, në datën 12 janar 2018, nga profili i tij të emërtuar si “Bardhi Guzi”, ka shpërndarë nga “Quds News Network”, duke e titulluar postimin e tij “…të shpëtojmë shpirtrat tonë, vritni një çifut…”. Ndërkohë një ditë para këtij postimi në 11 janar 2018 sërish Eduard Guza, i maskuar nën profilin e rremë “Bardhi Guza”,ka shpërndarë një video nga profili tjetër, të cilin ky vetë e ka titulluar “…bëhuni njerëz, vritni një çifut…”. Më 12 dhjetor 2017, Guza ka shpërndarë një postim të faqes tjetër ku sërish shkruan “…Bëhuni njerëz, vritni një çifut…” dhe pak orë më vonë rishkruan “…ndihmoni njerëzimin, vritni një çifut…”.
Gjatë seancës gjykata sqaron se profili në emrin e “Bardhi Guzi” ishte hapur nga autori si faqe biznesi dhe ndiqej nga 53 persona.