Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, në daljen e tij publike në Shkodër i bëri thirrje qeverisë dhe pushtetit vendor që t’i kushtojnë më shumë vëmendje shtresave të margjinalizuara.
Soreca kryesisht e vendosi theksin tek ndihmesa që i duhet dhënë komunitetit rom dhe atij egjyptian, që ende vuan për furnizim me energji elektrike dhe ujë, si dhe për gjetjen e një vendi pune.
“I bëj thirrje qeverisë, që për çdo gjë të kërkojnë asistencën tonë. Eshtë e drejtë të ngrini këto shqetësime, lidhur me mos aksesimin në këto shërbime, si për romët e egjyptianët, apo familjet e tjera që jetojnë në vështirësi. Ne vazhdojmë t’i kërkojmë qeverisë dhe shoqërisë në tërësi që të mbështesin grupet në nevojë. Mbështetja jonë është e kushtëzuar nga progresi i prioriteteve që i janë vendosur qeverisë. Mbështetja financiare nuk është e pafund, do të varet nga niveli i përgjegjesisë që do të marrë qeveria juaj”, është shprehur ai.
Në përurimin e qendrës së re komunitare multifunksionale “Për Familjen” që do të ofrojë shërbime për 1 mijë familje, përfshirë edhe romët dhe egjyptianët, kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi u ndal tek rëndësia që i është kushtuar shërbimeve ndaj këtyre shtresave.
Edhe zv/ministrja Bardhylka Kospiri u ndal tek miratimi dhe zbatimi i planit kombëtar të veprimit për integrimin e këtyre shtresave.
Ndërtimi i qendrës multifunksionale u realizua në kuadër të projektit “Fesre”, që synon të promovojë zhvillimin ekonomik dhe social të këtyre familjeve.
Sot, në Shkodër jetojnë 500 romë dhe 1100 egjyptianë që përballen me një sërë sfidash si strehim, akses në shërbime sociale dhe arsim.


